Xhelal Sveçla i dha leje speciale ish-ministrit serb që i kishte quajtur nënat gjakovare egërsira

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla, i ka dhënë leje speciale për të lëvizur nëpër territorin e Kosovës.

Këtë e ka bërë të ditur, Adil Behramaj, këshilltar i presidentit Hashim Thaçi, i cili ka thënë se atëherë e pati shfrytëzuar deklaratën e tij të poshtër, për të organizuar protesta, ndërsa tani atij i jep leje, e deputetët e Kuvendit të Kosovës, i kërcënon me arrestim.

Postimi i plotë i Adil Behramajt:

Xhelal Sveçla, si ushtrues detyre i ministrit, dje i paska dhënë leje speciale për të lëvizur lirshëm në tërë territorin tonë edhe Aleksandër Jabllanoviqit, ish-ministrit të shkarkuar, i cili nënat që nuk i kishin lejuar pelegrinët serbë të hynin në Gjakovë i kishte quajtur edhe egërsira.

Lëvizja Vetëvendosje atëherë e kishte shfrytëzuar këtë deklaratë të poshtër të tij për të organizuar protesta të dhunshme gjithandej Kosovës, duke e djegur në fund edhe objektin e Qeverisë.

Tash qytetarët i kanë izoluar, deputetët e Kuvendit të Kosovës i kërcënojnë me arrestime, kurse Aleksandër Jabllanoviqit i japin edhe leje speciale për të lëvizur në tërë Kosovën. Na ka mbetur neve të skuqemi për paturpësinë e tyre!