Xhavit Rexhaj nga LDK: Me Vetëvendosjen për Arsimin kemi arritur 100 përqind pajtueshmëri

Eksperti i fushës së arsimit nga LDK, Xhavit Rexhaj, ka thënë se takimi i sotëm mes grupeve punuese të kësaj partie dhe Lëvizjes Vetëvendosje ka qenë i gjatë por konstruktiv.

Përveç fushës së arsimit sot temë ka qenë edhe shëndetësia, njofton Klan Kosova.

“Konsideroj se procesi po ecë shumë mirë, jam shumë i kënaqur me shkallën e pajtueshmërisë. Ka qenë diskutim i thuktë sepse të dy palët kemi qenë të pagatitur mirë. Përafrimi është 100% sepse i kemi diskutuar edhe dallimet”, ka thënë Rexhaj në Info Magazine.

“Sot është bërë punë e mirë për arsimin dhe shëndetësisë. Kemi folur për intervenime të ndryshme sektoriale, si gjendja në Ministrinë e Arsimit, zgjedhjet e organogramit që nuk i janë përshtatur sistemit arsimor në Kosovë dhe ka pasë interesa të ngushta më tepër se nevojat e ministrisë”.

“Situata rregullohet jo me imponim, nuk ka nevojë të largohen njerëz nga puna, por bëhet risistemim. Është diskutuar edhe çështja e partnerëve zhvillimor dhe trajtimi i teksteve shkollore. Do të ketë politika që e forcojnë shkollën – forcohet llogaridhënia”.

“Jemi pajtuar, sepse kemi punuar që të pajtohemi”.

Rexhaj ka theksuar se dy grupet janë pajtuar që të shtohen investimet në arsim.

“Të gjithë kanë thënë se kanë investuar në cilësi, por nuk është investuar. Ne mendojmë që të bëjmë jo vetëm koordinatorë të cilësisë në shkolla, por të ketë shërbime cilësore”.

Në fund Rexhaj ka thënë se nuk dihet se cila parti do ta marrë ta drejtojë Ministrinë e Arsimit, por që ka theksuar se aty më shumë traditë ka LDK-ja.

loading…