Kandidati për deputet nga radhët e Partia Demokratike e Kosovës me numër 14, Xhavit Haliti, ka ironizuar me inaugurimin e sistemit të ujitjes në Lupç të Podujevës, projekt i promovuar një ditë më parë nga Armend Muja dhe Shpejtim Bulliqi.
Përmes një reagimi publik, Haliti tha se para disa ditësh kishte sfiduar qytetarët që t’i gjenin një projekt “kapital” të realizuar nga Lëvizja Vetëvendosje gjatë gjashtë viteve të fundit në pushtet.
“Para disa ditësh i sfidova qytetarët me ma gjetë një projekt ‘kapital’ që e ka kry VV-ja për këto 6 vjet. Qe, ma gjetën një”, ka shkruar Haliti, duke iu referuar projektit të sistemit të ujitjes që u përurua në Lupç të Podujevës.
Deklarata e kandidatit të PDK-së vjen në kuadër të përplasjeve politike mes partive, ndërsa projekti i ujitjes është prezantuar nga zyrtarët e Vetëvendosjes si një investim në mbështetje të bujqësisë dhe fermerëve të zonës.







