Xhavit Haliti i reagon ashpër Vjosa Osmanit pas konstatimit se ai sulmoi Arben Gashin

Ish-nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, i ka reaguar kryetares aktuale të institucionit legjislativ të vendit, Vjosa Osmani, pas një deklarate të saj për incidentin mes tij dhe deputetit Arben Gashi.

Ai ka përgënjeshtruar pohimin e Osmanit se “deputeti Gashi nuk e ka sulmuar askënd, është çështje që është konstatuar edhe në Gjykatë”.

“Ky konstatim i Kryetares është i pa saktë dhe i pa vërtetë”, ka thënë Haliti, nëpërmjet një reagimi në Facebook.

“Në rastin tonë të një incidenti, nuk ka një vendim gjyqësor siç thekson znj Osmani”, është shprehur ai.

“Ky konstatim i Kryetares së Kuvendit shkelë parimin bazë të ndarjes së pushteteve, paragjykon rastin gjyqësor i cili nuk ka marrë epilog përfundimtar”, ka deklaruar Haliti.

Shkrimi i tij i plotë në Facebook:

Të nderuar miq,

Lexova në një portal se në një debat sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Kryetarja e Kuvendit znj. Osmani-Sadriu, paska konstatuar se “deputeti Gashi nuk e ka sulmuar askënd, është çështje që është konstatuar edhe në Gjykatë” (citim nga portali).

Këtë konstatim Kryetarja e Kuvendit e bën pas një debati ku përflitet emri im.

Ky konstatim i Kryetares është i pa saktë dhe i pa vërtetë.

Në rastin tonë të një incidenti, nuk ka një vendim gjyqësor siç thekson znj Osmani.

Ky konstatim i Kryetares së Kuvendit shkelë parimin bazë të ndarjes së pushteteve, paragjykon rastin gjyqësor i cili nuk ka marrë epilog përfundimtar. Unë kam një përvojë të gjatë edhe në drejtimin e seancave të Kuvendit, ky institucion do të duhet të mos përdorej si trampolinë e paragjykimit të proceseve gjyqësore e as nuk do të duhet që nga pozicioni i Kryetarit të Kuvendit të paragjykohen proceset gjyqësore.

Zonja Osmani-Sadriu nuk i ka të qarta siç duket as parimet bazë të ndarjes së pushteteve e as nuk i ka të njohura as rrethanat faktike e as statusin e rastit në fjalë e që për habi, gjen kohë të konstatoj gabimisht si më lartë.

Është për të të ardhur keq se si një ligjeruese e Fakultetit të Drejtësisë bën një huqje të tillë profesionale!

Duke dashur të besoj e znj. Osmani-Sadriu nuk ka gabuar me qëllim, nuk gjej arsye për të elaboruar tutje këtë reagim! XHH