Xhaferi: Padrejtësi është bërë ndaj nesh, duhet të vazhdojmë rrugën e bërjes së reformave për anëtarësim në BE

Talat Xhaferi, Kryetari i Kuvendit së Maqedonisë së Veriut, ka thënë se janë duke vazhduar të punojnë në rrugën e tyre për anëtarësim në NATO dhe në BE.

Xhaferi para të pranishmëve në Samitin për Paqe i Evropës Juglindore në Tiranë, deklaroi se shtetet e Ballkanit bashkë janë më të fuqishme.

“Nënshkrimi i kartës së Kombeve të Bashkuara është garanci për paqen dhe sigurinë në botë. Ruajtja e kësaj paqe është obligim i çdo njeriu, Evropa Juglindore ka një histori turbulente e cila nuk lë indiferent askënd”.

“Si duket ngadalë por sigurt po tejkalohen simtomet e dëmshme, na nevojitet vetëm vullneti për bashkëpunim dhe mbështetje të njëri-tjetrit, si vende nuk jemi tërheqëse por si rajon mundemi shumë dhe qytetarët tanë meritojnë më shumë, bashkë jemi më të fuqishëm”.

“Që nga dita kur u shpall pavarësia e Maqedonisë së Veriut, si shtet i përcaktuam rrugët tona për anëtarësim në BE dhe në NATO”.

“Republika e Maqedonisë së Veriut është duke vazhduar të punojë shumë në fushën e avancimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore, sepse besojmë vetëm qasja e sinqertë ndaj mosmarrëveshjeve dhe çështjeve të hapura dhe mbajtja e dialogut politik deri në shterjen e të gjitha mundësive mund të na sjell deri tek kompromisi i pranueshëm tek palët”.

“Si rezultat i këtyre ishte nënshkrimi i marrëveshjes për fqinjësi me Bullgarinë, dhe me Greqinë që u tejkalua konteksti shumë vjeçar i cili na pengonte në integrimin në NATO dhe në BE. Dhe tani që ky proces është debllokuar shpresojmë që deri në fund të vitit të bëhemi anëtari i 30 i NATO-së”.

“Ndërsa sa i përket anëtarësimit në BE situata është ndryshe nga se e pritshmi, edhe Shqipëria e jeton fatin e njëjtë si ne në këtë aspekt. Vij këtu prej Strasburgu ku isha pjesëmarrës në konferencën evropiane të kryetarëve të parlamenteve, atje zhvillova takime me kryetarin e Parlamentit Evropian dhe eurodeputet të tjerë”.

“Gjatë bisedave me ata u tha ajo që përsëritet vazhdimisht se mbështetja për eurointegrimin tonë vazhdon edhe më tutje. Na u është bërë padrejtësi por nuk guxojmë të humbim shpresë dhe se duhet të ndjekim rrugën e njëjtë të përmbushjes së kritereve, gjegjësisht bërjes së reformave”.

loading…