Xhaçka e quan historik anëtarësimin dyvjeçar të Shqipërisë në KS të OKB-së

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka e ka quajtur historik votimin e Shqipërisë si vend anëtar i Këshillit të Sigurimit të OKB-së për dy vitet e ardhshme.

“Në Asamblenë e Përgjithshme të OKB për një moment historik të marrëdhënieve 65 vjeçare të Shqipërisë me OKB: votimi si vend anëtar i Këshillit të Sigurimit për dy vitet e ardhshme”, ka shkruar në faqen e saj zyrtare ministrja e Punëve të Jashtme të Shqipërisë.

Shqipëria zgjidhet anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për një mandat dyvjeçar, ’22-’23 duke u mbështetur nga 175 vende anëtare të OKB, nga 190 vende që morën pjesë në votim.

Në Asamblenë e Përgjithshme të OKB u zhvillua sot votimi për 5 anëtarët e rinj jo të përhershëm me mandat dyvjeçar të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Shqipëria, Gaboni, Gana, Brazili dhe Emiratet e Bashkuara.

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka votoi më herët në Asamblenë e Përgjithshme të OKB.

Shqipëria u paraqit në këto zgjedhje si kandidaturë konsensuale e Grupit të Vendeve të Evropës Lindore.

Zgjedhja në Këshillin e Sigurimit, për herë të parë pas 65 vitesh anëtarësim në OKB, përfaqëson sfidë madhore, por dhe një mundësi të shkëlqyer për Shqipërinë.