Xavi i vetëofrohet Barcelonës: S’e kam problem të jem trajner i Messit, Suarezit e Busquetsit

Legjenda e Barcelonës, Xavi, ka thënë se për të nuk do të ishte problem të bëhej trajner i ish-bashkëlojtarëve si Lionel Messi, Luis Suarez dhe Sergio Busquets në klubin katalonas.

Trajneri aktual i Barçës, Ernesto Valverde, është nën presion në Camp Nou. Megjithëse e fitoi titullin në La Liga në dy sezonet e kaluara, dështimi turpërues kundër Liverpoolit në Ligën e Kampionëve ka lënë një shije të hidhur e cila është rënduar nga mënyra zhgënjyese sesi klubi e ka nisur sezonin e ri.

Me humbjen tronditëse 2:0 të shtunën kundër Granadës, Barça shënoi fillimin më të keq të sezonit në La Liga në 25 vjetët e fundit dhe tani kanë nisur të qarkullojnë thashetheme se ditët e Valverdes në klub janë të numëruara.

Xavi, për të cilin ka kohë që flitet si një trajner i ardhshëm i Barçës, është ndër emrat që janë përmendur.

Ish-mesfushori 39-vjeçar është trajner i klubit nga Katari, Al-Sadd. Ekipi i tij i ka fituar tri ndeshjet e para deri tani në ligë, duke i shënuar 13 gola në proces, dhe është në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve të Azisë.

“Nuk e di nëse (Al-Sadd) do të jetë urë lidhëse për mua në Barçë. Gjëja e vetme që më shqetëson tani është të bëj mirë këtu, të fitoj tituj dhe të bëj gabime në disa aspekte në mënyrë që të mësoj për të ardhmen”, tha Xavi për Ara.

“Nuk do të ishte problem të jem (trajner i ish-bashkëlojtarëve). E di si është Leo, Luis (Suarez), Busquets, Jordi (Alba), (Gerard) Pique apo Sergi (Roberto)”, shtoi ai.

“E di sesi stërviten ata, i di kapacitetet e tyre për lidership. E dalloj kur janë të trishtuar apo zemëruar”, theksoi ai.

loading…