Belgu

Witsel mendon se Pulisic dhe Sancho mund të bëhen ndër sulmuesit më të mirë të krahut

Mesfushori i Borussia Dortmundit, Axel Witsel është impresionuar me kualitetin e bashkëlojtarëve të tij, Jadon Sanchos dhe Christian Pulisic duke thënë se në të ardhmen mund të bëhen dy prej sulmuesve më të mirë të krahut.

Reprezentuesi i SHBA-ve, Christian Pulisic dhe tinejxheri anglez Jadon Sancho kanë luajtur rol të rëndësishëm në startin fantastik të sezonit te Borussia Dortmundi që është lider me 4 pikë më shumë se Bayerni në prag të derbit të së shtunës.

“Ne kemi shumë lojtarë të rinj dhe mënyra si po luajmë tani zakonisht merr më shumë kohë. Nuk mund ta sqaroj arsyen e ndeshjeve të mira që po bëjmë ndërsa do të bëjmë të pamundurën ta vazhdojmë këtë formë. Pulisic dhe Sancho janë futbollistë të ri në moshë dhe nëse vazhdojnë në këtë mënyrë mund të bëhen dy prej sulmuesve më të mirë të krahut në të ardhmen”, deklaroi Witsel.

Futbollisti i kombëtares së Belgjikës beson se nëse e japin 100 për qindëshin mund ta fitojnë “Der Klassiker” kundër Bayernit që zhvillohet të shtunën në orën 18:30 në “Signal Iduna Park”.