Frank Wisner

Wisner: Serbia t’i nxjerrë kriminelët para drejtësisë ose t’ia dorëzojë autoriteteve kosovare

Ish-përfaqësuesi special i SHBA-së për bisedimet Kosovë-Serbi, Frank Wisner, i ka bërë thirrje Serbisë për dorëzimin e kriminelëve që morën pjesë në sulmin e 24 shtatorit në fshatin Banjskë të Zveçanit.

Në një intervistë për Euronews Albania, Wisner theksoi se është e rëndësishme që Serbia të ndërmarrë veprime të menjëhershme duke sjellë para drejtësisë personat e përfshirë në këtë ngjarje.

Ai shtoi se Serbia duhet të bashkëpunojë me Perëndimin për të arritur këtë qëllim dhe nëse është e nevojshme, t’i dorëzojë kriminelët tek autoritetet kosovare.

“Serbia duhet të ndërmarrë veprime në mënyrë të menjëhershme për t’i dhënë dorën Perëndimit dhe për t’i vendosur para drejtësisë serbe, ose t’i dërgojë drejtësisë kosovare kriminelët që morën pjesë në këtë sulm”, tha ai.

Gjithashtu, Wisner shtoi se hapi i parë drejt zgjidhjes së kësaj situate është rikthimi i palëve në tryezën e bisedimeve.

“Unë shpresoj që palët t’i kthehen tryezës së negociatave dhe është përgjegjësia e të dy palëve për të bërë diçka të tillë”, pohoi Wisner.

Ai përmendi marrëveshjen e Ohrit si një bazë të rëndësishme për zhvillimin e dialogut dhe theksoi se zgjidhja e problemit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe është një tjetër hap që mund të ndihmojë në ecjen përpara në këto bisedime.

“Ka një rrugë për të ecur para, kjo është e theksuar të marrëveshja e Ohrit dhe po ashtu kërkon zgjidhjen e problemit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe kjo është mënyra si mund të ecin përpara”, deklaroi ai.