E zbulon vetë anglezi

Wilshere do të qëndronte te Arsenali nëse Wenger nuk do të largohej

Jack Wilshere ka thënë se nuk do t’i bashkohej West Hamit nëse Arsene Wenger do të vazhdonte në drejtimin e Arsenalit.

Wilshere kaloi te West Hami si transfer i lirë këtë verë, duke i dhënë fund qëndrimit 17 vjeçar te “The Gunners”.

Emërimi i Unay Emery si trajner i Arsenalit ia uli gjasat mesfushorit anglez teksa u bind se kishte ardhur momenti për t’u larguar.

“Nëse Arsene do të qëndronte, do të qëndroja edhe unë, për shkak të ndikimit që e ka pasur ai në karrierën time dhe për besimin që më ka ofruar. Wenger më dha shiritin e kapitenit dhe më respektonte shumë, por pastaj ai mori vendimin për t’u larguar dhe e vërejta se ishte koha për ndryshime”, zbuloi Wilshere.

Wilshere tregoi se Wenger i kishte thënë të mbetej te Arsenali dhe të luftonte për vendin e tij, por mesfushori që numëron 34 paraqitje me kombëtaren e Anglisë vendosi të largohej për shkak të ndryshimeve që kishin filluar të bëheshin te klubi londinez.

Jack Wilshere ka 4 paraqitje me West Hamin këtë sezon, e fundit me datë 1 shtator derisa 26 vjeçari vuan nga një lëndim në kyçin e këmbës.