VV në Tiranë: Edi Rama po i hakmerret Albin Kurtit me burgosjen e Boiken Abazit

Mbajtja në policinë shqiptare e Boiken Abazit, drejtorit të Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Tiranë, përmban mesazh politik, sipas Arbër Zaimit.

Zaimi, aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje dhe njëri nga krerët e Qendrës së LVV-së në Shqipëri, pretendon se arrestimi i Boiken Abazit të dielën gjatë protestave kundër rrëzimit të Teatrit Kombëtar të Shqipërisë, ka ndodhur me urdhër nga politika.

Ai pretendon se Boiken Abazi po mbahet i burgosur me kërkesë të nëndrejtorëve të Policisë, me porosi të Ministrisë së Mbrojtjes dhe direkt nga Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë.

Zaimi ka nënkuptuar se Rama po i lanë hesapet me Vetëvendosjen, e cila po ia prishë atij planet më të gjëra.

“Mbajtja në komisariat e drejtorit të qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri, Boiken Abazit, është mesazh politik. Drejtorët dhe zv. drejtorët e policisë që kanë dhënë urdhër për ‘vëmendje speciale’ për Boikenin mbajnë përgjegjësi edhe vetë, siç do të mbajnë edhe politikanët që i kanë telefonuar për t’i ‘udhëzuar’”, ka shkruar sot Zaimi në Facebook.

Zaimi ka thënë se “protestat do të vazhdojnë dhe do të jenë gjithëpërfshirëse, sepse prishja e teatrit ishte akt tinzar nga një pushtet që ka vepruar natën, si bandit ordiner”.

Boiken Abazi u arrestua dje nga Policia Shqiptare gjatë protestës kundër shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar në Tiranë.

Ndërkohë që sot Policia bëri me dije zyrtarisht se Abazi ndodhet në mesin e shtatë të arrestuarve për kundërshtim me dhunë të zyrtarëve policorë.