Abuzuese të buxhetit të Kosovës, e ka quajtur ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, Listën Serbe, teksa ka komentuar deklarimin e kësaj të fundit se do të votojë pro rrëzimit të Qeverisë, nëse nuk hiqet taksa prej 10 për qind për produktet serbe.
Ai madje ka sfiduar këtë parti që të veprojë nëse e ka njëmend me qëndrimin e saj, raporton KTV.
Këtë qëndrim të partisë më të madhe serbe në Kosovë, është e gatshme ta shfrytëzojë Lëvizja Vetëvendosje, e cila po kërkon zgjedhje të jashtëzakonshme.
E pyetur për këtë, nënkryetarja e kësaj partie, Fatmire Mulhaxha Kollçaku, ka mohuar mundësinë e bashkëpunimit me Listën Serbe, por ka shtuar se edhe votat e saj do t’i kontribuonin rënies së Qeverisë.
Megjithëse mbështet rrëzimin e Qeverisë, deputetja Arbërie Nagavci, tha se ky nuk është kërcënimi i parë i LS-së, por sipas saj, kryeministri Haradinaj nuk duhet të tërhiqet nga vendimi për taksën.
Këto komente, përfaqësues të Vetëvendosjes i kanë bërë në një konferencë, ku është folur për Pakon Ligjore për Administratën.
Sipas tyre, pakoja e sjellë në Kuvend pos që thellon pabarazinë dhe privilegjon pushtetarët e deputetët, shkel edhe ligjet dhe Kushtetutën.
Më herët gjatë ditës së sotme, deputetja tjetër e VV-së, Albulena Haxhiu tha se nuk ua kërkojnë votat Listës Serbe për ta rrëzuar Qeverinë Haradinaj, por ka thënë se ato janë vota të deputetëve dhe si të tilla janë të pranueshme.
“Deklaratat e Listës Serbe duken më shumë deklarata presioni dhe shantazhi sesa deklarata për rrëzim të Qeverisë. Qeveria aktuale po ia plotëson çdo kërkesë Listës Serbe rrjedhimisht Beogradit dhe në këtë drejtim as këta nuk kanë interes për rrëzim. Ne konsiderojmë që vendi duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, angazhohemi për këtë si opozitë, ne nuk do të bashkëpunojmë dhe as nuk do të shkojmë tek Lista Serbe për t’ia kërkuar votat, por meqë vota e tyre sikur e çdo deputeti numërohet, natyrisht që nëse ata votojnë për rrëzim, do të pranohet”, ka thënë Haxhiu.
Mirëpo, duket se në Lëvizjen Vetëvendosje nuk ka dakordim se a duhet pranuar apo votat e Listës Serbe për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj.
Rexhep Selimi, deputet i VV-së, flet ndryshe nga Haxhiu.
“Ne nuk kemi bashkëpunuar me Listën Serbe as për ta votuar Haradinajn, por as për ta rrezuar” , ka thënë të shtunën deputeti Selimi. /Ballkani.info/







