VV: Kryeministri përkulet para krimit të organizuar që ka mbërthyer Telekomin

Lëvizja Vetëvendosje përmes një komunikate për media ka reaguar pas fillimit të procesit të privatizimit të Telekomit të Kosovës.

Sipas VV’së me këtë akt, të cilin e kanë quajtur të paprecedent, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është përkulet para krimit të organizuar që e ka mbërthyer Telekomin.

“Aktualisht është në fuqi rezoluta e Kuvendit të Republikës së Kosovës ku qeverisë dhe kryeministrit i kërkohet të veprojë për të kundërtën. Pra për zhbërjen e kontratës kriminale me Z-Mobile dhe përfshirjen e profesionistëve në rimëkëmbjen nga kriza e qëllimshme ku e kanë futur Telekomin.

Në vend se të zbatonte pikë për pikë këtë rezolutë siç e kërkon ligji dhe Kushtetuta, Kryeministri Haradinaj u përkul para krimit të organizuar që ka mbërthyer Telekomin, ndërmarrjen publike me aksionerë 100% qeverinë e Kosovës, sektorin strategjik dhe fitimprurës”, shkruhet në komunikatë.

Nga kjo parti kanë shkruar se Haradinaj është duke ecur hapave të Qeverisë që dikur udhëhiqej nga Hashim Thaçi.

“Një përpjekje për privatizmin e Telekomit dështoi para 4 viteve pas denoncimit të pazareve me kompaninë Axos Gmh. Tani pas mbylljes edhe të procesit të arbitrazhit me këtë kompani Kryeministri Haradinaj, verbtazi po ecën hapave të Qeverisë Thaçi II.

Telekomi nuk duhet të privatizohet. Këtë nuk do ta lejojnë as qytetarët e Republikës së Kosovës as vet punëtorët e Telekomit”.