VV-ja ndryshon mendje, Konjufca tash thotë se Lista Serbe mund ta merr një ministri

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka folur për mundësinë e përfshirjes së Listës Serbe në qeverinë që do të udhëhiqej nga Albin Kurti.

Konjufca në RTV Dukagjini, ka thënë se Vetëvendosje e LDK nuk do të nguten në formimin e qeverisë për të mos përsëritur gabimet e së kaluarës.

Ai ka thënë se shkuarja në zgjedhje të reja nuk është komoditet për VV-në, pasi sipas tij edhe qytetarët janë lodhur nga procesi zgjedhor, por edhe shpenzimi i buxhetit shtetëror do të ishte i panevojshëm në këtë rast.

“Në zgjedhje të reja do të shkonim vetëm nëse do të kishte kërkesa shumë të paarsyeshme nga LDK apo Vetëvendosje”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se deri më tani bashkëpunimi Vetëvendosje-LDK është shembull për t’u ndjekur.

Duke folur për përfshirjen e Listës Serbe në qeveri, Konjufca ka thënë se nuk do të pranojnë kushte nga ta në formulën qeverisëse.

“Nuk ka më “Kosovo i Metohija”… Do ta analizojmë me ekspertizën më të mirë përfshirjen e Listës Serbe në qeveri”.

Konjufca ka thënë se ministri që duhet të zgjidhet duhet të jetë në konsultim me Listën Serbe. “Por nuk do të bëjmë marrëveshje për koalicion siç është bërë në të kaluarën”.

“Neni 1 i Kushtetutës thotë se qeveria zgjidhet me 61 vota. Aty nuk përmendet se ato votat duhet të jenë nga shqiptaret, serbët, turqit…”, tha Konjufca.

Të kujtojmë se VV-ja dhe Albin Kurti që nga fitorja në zgjedhje kanë thënë se Lista Serbe nuk do të përfshihet në qeveri me asnjë kusht! /Ballkani.info/

loading…