VV-ja kundër Trustit, eksperti i ekonomisë: Qeveria po luan, qytetari t’ia “mbushë” sheshin

Sot iniciativa që ua mundëson qytetarëve një tërheqje tjetër të parave nga Trusti, është hedhur poshtë në Komisionin për Buxhet dhe Transfere.

Kjo iniciativë e cila është nisur nga Partia Demokratike e Kosovës, sot është përkrahur nga PDK, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ndërsa është kundërshtuar ashpër nga Lëvizja Vetëvendosje edhe me votë.

Rreth kësaj iniciative, ndikimit që mund të ketë një tërheqje e re nga Trusti por edhe lidhur me kundërshtimin që po i bëhet kësaj ideje nga VV-ja, lajmi.net, ka kontaktuar me njohësin e ekonomisë, Mustafë Kadrijaj.

Kadrijaj në prononcimin e tij, e përkrahu një tërheqje tjetër të parave nga Trusti, pasi sipas tij, diçka e tillë do ta rriste forcën blerëse dhe se kjo iniciativë po pritet edhe nga qytetarët që të realizohet.

Megjithatë, sipas njohësit të ekonomisë, qeveria aktuale nuk ka disponim që të përkrah këtë iniciativë.

“Në parim qytetarët kanë një vullnet të jashtëzakonisht të madh dhe në fakt janë duke pritur që të ndodhë një gjë e tillë, pra një vendim nga ana e parlamentit, pra një tërheqje. Besoj që do të ishte mirë me pas një kompromis mes pozitës dhe opozitës, por si duket pozita në këtë rast, qeveria aktuale dhe shumica parlamentare nuk kanë disponim. I kanë disa arsye, por që nuk kanë bazë për faktin që po flasim për gjendjen e tanishme ekonomike, sepse edhe në nivel botëror por edhe Kosova si vend, si shtet, është në gjendje jo të lakmueshme nga ana e fuqisë blerëse, që në këtë rast një tërheqje e tillë nga Trusti do të ishte një fuqizim i forcës blerëse. Por që qeveria në këtë rast nuk ka diçka, një reflektim në këtë drejtim”, tha eksperti i ekonomisë.

Tutje, ai shtoi se, se sipas tij, qytetari që ia ka dhënë votën qeverisë aktuale është duke e pësuar pikërisht nga komoditeti që e ka fituar qeveria përmes votës parlamentare që e ka.

Dhe për këtë arsye, sipas Kadrijajt, qytetari do të duhej ta mbush sheshin e të ia bëjë me dije qeverisë që ai po e kërkon vetëm djersën e tij.

“Dhe qeveria po luan thjesht me komoditetin e votës parlamentare që i ka. Dhe në fakt, qytetari i cili ia ka dhënë votën sot është duke pësuar si rezultat i komoditetit që ia ka dhanë kësaj qeverie aktuale. Por kjo qeveri… në fakt do të ishte dashur qytetari që të ishte me i zëshëm që në fakt të ia mbush sheshin dhe të ia bënë me dije që në fakt qytetari është duke e kërkuar djersën e vetë, thjesht kursimet e veta. Nuk po kërkon nga buxheti, por thjesht kursimet e veta, thjesht me kaluar këtë situatë në çfarë jemi”, shtoi njohësi i ekonomisë.

Me tej, ai kujtoi se qeveria e udhëhequr nga Kurti ka ardhur në pushtet me politika sociale, ndërsa sot po sillet me politika kapitaliste.

“Por qeveria aktuale është ardhur me politika sociale dhe nga vota e këtij qytetari të varfër dhe sot po sillet me politika kapitaliste. Që në fakt nuk i shkon në bazë të natyrshmërisë dhe në orientimin si subjekt që e ka qeveria aktuale dhe subjekti aktual Vetëvendosje. Por që deri me tani nuk ka reflektim të tillë dhe thjesht, e thash në fillim që për fat jo të mirë këtij qytetari i cili sot po kërkon, ia ka dhënë këtë komoditet që sot qeveria po luan thjesht me fuqinë e votës parlamentare”, ka përfunduar Kadrijaj.

Përndryshe, iniciativa edhe pse ka dështuar të aprovohet në Komisionin për Buxhet dhe Transfere, ajo do të përcillet në Parlamentin e Kosovës, ku do të vendoset përfundimisht nëse do tu lejohet qytetarëve një tërheqje e re e parave.