Asociacioni i Komunave

VV-ja bën politikë edhe në AKK: Kërkon të anëtarësohen komunat veriore që janë anëtare, Ibrahimi i demanton

Për herë të parë sot në Asociacion të Komunave të Kosovës është ngritur një çështje politike. Këtë e ka bërë Lëvizja Vetëvendosje përmes kryetarit të Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj.

Në ditën që në Bruksel po diskutohet çështja e dinarit, i pari i Kamenicës, në mbledhjen e Bordit të Asociacionit, ka kërkuar që në rend të ditës të futet çështja e anëtarësimit të komunës së Leposaviqi, Zubin Potokut dhe Zveçanit, të cilat vetëm se janë anëtare të Asociacionit. Kjo kërkesë është parë si qesharake nga përfaqësuesit e Asociacionit.

Refuzimi i kërkesës së Rahimajt është bërë shkak që Asociacioni të bëhet cak i shumë kritikave të zyrtarëve të partisë në pushtet.

Drejtori Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka demantuar pretendimet kryetarit Rrahimaj. Ibrahimi ka thënë se këto tri komuna janë anëtare të Asociacionit që nga fillimi.

Sipas tij, nuk mund të anëtarësohet dikush që tashmë është anëtar.

“Realiteti qëndron ndryshe. Tri komunat e pjesës veriore kanë qenë anëtare që nga themelimi i Asociacionit të Komunave të Kosovës. Deri me tani, ne si Asociacion asnjëherë nuk kemi pranuar ndonjë vendim nga ato tri komuna të pjesës veriore, se ato nuk duan me qenë pjesë e Asociacionit. Domethënë në asnjë rast nuk kemi pasur tërheqje zyrtare të atyre komunave. Ato ndoshta kanë qenë pasive në aktivitetet tona, por nuk kemi pasur vendime që ato janë tërhequr prej Asociacionit”, ka thënë Ibrahimi.

Ai ka vlerësuar se këto veprime të VV-së tregojnë se zyrtarët e kësaj partie kanë mungesë të njohurive për këtë çështje.

“Në vitin 2001, ku është themeluar Asociacioni, një nga kryetarët e atyre komunave ka qenë anëtar i bordit. Ne si Asociacion nuk mund të bëjmë pranim të anëtarëve që janë të pranuar. Këtu po shihet që ka mungesë të jashtëzakonshme të informimit nga ata njerëz që e kanë ngritur këtë çështje në diskutim në këshillin e kryetarëve”, është shprehur ai.

Ibrahimi ka vlerësuar se sot për herë të parë në Asociacion është ngritur një çështje politike.

“Është hera e parë në historikun e Asociacionit të Komunave të Kosovës që një parti politike ngrit çështje politike. Sepse Asociacioni nuk është mekanizëm politik, nuk është instrument politik i asnjë parti politike, por është një mekanizëm që i mbron interesat e komunave. Sot në rend të ditës kanë qenë tri pika të rëndësishme për interesat e autoriteteve lokale në Republikën e Kosovës. Ne si Asociacion në çdo forum i diskutojmë vetëm temat në interes të komunave që janë përfaqësues të drejtpërdrejt të interesave të qytetarëve të Kosovës. Në asnjë rast deri me tani nuk është ngritur nga asnjë kryetar ndonjë temë politike”, është shprehur ai.

Ai ka bërë me dije se në këtë takim kanë qenë të ftuar edhe kryetarët e këtyre tri komunave.

VV-ja hidhet në sulm ndaj Asociacionit

Në mbledhjen e stome të Këshillit të Kryetarëve të Komunave të Kosovës, kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rrahimja, ka aktualizuar kërkesën e çuditshme për anëtarësim të tri komunave veriore, të cilat janë anëtare të këtij mekanizmi.

Për shkak të refuzimit të kësaj kërkese, në sallën ku mbahej mbledhje ai ka vendosur një baner ku shkruhet: Edhe komuna e Leposaviqit, Zubin Potoku dhe Zveçani janë komuna të Republikës së Kosovës”

Më pas, Rahimaj ka shkruar edhe në profilin e tij në “Facebook” për refuzimin e kërkesës së tij, duke kritikuar anëtarët.

“Asociacioni i Komunave të Kosovës po refuzon të trajtojë kërkesën për anëtarësim të komunave në veri të vendit. Më datë 14 shtator 2023 kuvendet komunale të Komunave të Zubin Potokut dhe Leposaviqit kanë miratuar kërkesën për anëtarësim në AKK, ndërsa një ditë më pas, më datë 15 shtator Kuvendi Komunal i Zeveçanit gjithashtu votoi pro anëtarësimit në AKK”, ka shkruar Rahimaj.

Ai ka treguar se me votë është refuzuar kërkesa e tij.

“Për shtatë muaj Bordi i AKK-së nuk ka trajtuar kërkesën e komunave në veri të vendit për anëtarësim. Sot në mbledhjen e Këshillit të Kryetarëve kemi paraqitur kërkesën tonë që të futet në rend dite shqyrtimi i anëtarësimit të komunave të veriut të vendit, por e njejta fillimisht u refuzua me debat injorues dhe më pas me votë të partive të vjetra u pumundësua të futet si pikë e rendit të ditës”, ka shkruar ai.

Statusi i Rahimajt është bërë sebep që disa zyrtarë të lartë të VV-së t`i nisin sulmet ndaj Asociacionit të Komunave të Kosovës.

Me këtë cështje është marrë edhe deputeti i VV-së, Dimal Basha.

“A bën me dal Agim Aliu me shpjegu pse tash e 7 muaj Asociacioni i Komunave të Kosovës po refuzon të trajtojë kërkesën për anëtarësim të komunave në veri të vendit? Prej kujt po tutet?”, ka shkruar Basha.

Ndërsa, zëvendësministri i Financave, Hekuran Murati, ka shpërndarë statusin e Rahimajt duke shkruar: “Qysh jeni o patriota?!”