VV fshin nga faqja zyrtare shkrimet dhe komunikatat nga viti 2005 deri në vitin 2014

Pak ditë më parë në mediet vendore u publikua një komunikatë e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila kritikonte ashpër ish-presidentin Ibrahim Rugova dhe e quante atë kolaboracionist.

E kjo ka bërë që VV t’i fshijë nga faqja e saj zyrtare në internet të gjitha komunikatat dhe shkrimet e saj që nga viti 2005 deri në 2014, shkruan Reporteri.net.

VV e ka hequr nga faqja e saj komunikatën kushtuar presidentit të tashëm amerikan, Joe Biden, për vizitën e tij si zëvendëspresident i SHBA-së në Kosovë.

Në përmbajtjen e komunikatës të titulluar “Biden e di mirë”, thuhet se ish-zëvendespresidenti amerikan nuk erdhi në Kosovë për t’ia mbajtur një fjalim Kuvendit të Kosovës.

“Nuk besoj ai ta ketë ndjerë nevojën e tifozerisë së deputetëve kosovarë që duartrokasin deri në delir si ndonjëfarë sekti primitiv. Nuk besoj as ta ketë marrë malli për Manastirin e Deçanit apo të ketë ardhur për t’i ngushëlluar ushtarët amerikanë për jetën e rëndë që bëjnë në kampin Bondsteel”, thuhet ndër të tjera në këtë shkrim.

Në faqen e VV-së nuk janë më as komunikata ku përmendet KFOR-i.

Mungon edhe vargu i komunikatave “Brenda mendjes kolinialiste”, ku flitej për misionin e KFORI-it në Kosovë, të cilin VV e quante ‘seksualizim të sferës publike’.

Nga faqja e VV-së janë fshirë edhe komunikatat si “Njësimi i partive politike”, “Gjaku i humbur” si dhe historia disa vjeçare e funksionimit të VV-së në skenën politike.