Vetëvendosje duket se do të bëj marrëveshje për koalicion qeverisës me PDK-në në komunën e Fushë Kosovës.

Enver Bajqinca, kandidati i VV-së për kryetar të kësaj komune ia doli të hynte në balotazh me kryetarin aktual Burim Berisha [LDK].

Dhe, ai tashmë duket se në balotazh do ta ketë mbështetjen e Partisë Demokratike të Kosovës [PDK].

“Në balotazh presim mbështetje nga elektorati opozitar kundër një keqqeverisje 20-vjeçare në Fushë-Kosovë. Është një kauzë e përbashkët që ndryshimi të ndodhë. Kemi një marrëveshje në parim (me PDK-në v.j.) dhe është vullneti prej fillimi që ta mbështesim njëri-tjetrin kushdo që është në balotazh”, ka thënë për KOHËN, Enver Bajçinca.

Kjo është pranuar nga Rrahim Tërnava i PDK-së.

“Qëllimi jonë është që ta largojmë krimin e organizuar dhe korrupsionin në Komunën e Fushë- Kosovës, degradimin dhe keqqeverisjen që ka ndodhur për 20 vjet. Ne kemi pasur ofertë nga LDK-ja, por as që kemi pranuar të takohemi me ta, pavarësisht posteve që na janë ofruar. Ne duam ta largojmë të keqen që e ka mbërthyer qe 20 vjet komunën tonë”, ka theksuar Tërnava.