VV dhe PDK me financues të përbashkët

Edhe pse e regjistruar shumë vonë si subjekt politik (më 2010), Lëvizja Vetëvendosje!, ndryshe prej LDK-së dhe AAK-së, deklaron shumë financues, tre prej të cilëve prej disa vitesh janë financues të PDK-së.

Hulumtimi i Preportr tregon se financuesit e Vetëvendosjes! janë shpërblyer shumë më shumë se sa financuesit e tri partive tjera që kanë qenë në pushtet në nivelin qendror dhe lokal si LDK-ja, AAK-ja dhe AKR-ja. Por duhet theksuar se këta tenderë janë dhënë nga institucionet ku nuk ka qeverisur VV-ja dhe shumica e donatorëve që kanë përfituar këta tenderë, kanë qenë njëkohësisht edhe financues të PDK-së.

Financuesit e LVV-së kanë marrë 42 tenderë nga MASHT-i, MTPT-ja dhe MI-ja në vlerë 58,493,257 euro. Ndërsa bizneset që kanë financuar LVV-në, kanë marrë 17 tenderë tjerë nga institucionet tjera në vlerë 1,208,302 euro.

Gjatë tri viteve (2010-2012), LVV-ja ka marrë nga bizneset ose pronarë biznesesh 161,618 euro në formë donacioni.Për dallim nga të gjitha partitë që janë pjesë e këtij hulumtimi, LVV-ja është e vetmja e cila ka bërë publike raportet financiare vjetore dhe ato të shpenzimeve gjatë zgjedhjeve që nga koha kur ajo është pjesë e institucioneve. Këtu hyjnë edhe raportet vjetore financiare dhe ato të shpenzimeve gjatë zgjedhjeve për vitet 2013-2014.