Vulin: Ushtria e Kosovës dhe “Shqipëria e Madhe”, kërcënimi më i madh për sigurinë në Ballkan

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandër Vulin, tha se bashkëpunimi i ushtrisë së Serbisë me NATO-n, nën Programin e Partneritetit për Paqe, është një “nivel optimal” i marrëdhënieve reciproke.

Gjatë një takimi në Beograd me komandantin suprem të Forcave Aleate të NATO-s në Evropë, Tod Wolters, Vulin tha se kërcënimi më i madh për sigurinë në Ballkan është formimi i ushtrisë së Kosovës dhe “përpjekjet për formimin e Shqipërisë së madhe”, ka thënë Vulin, shkruan B92.

“Për Serbinë, KFOR-i (mision paqeruajtës i NATO-s) është i vetmi formacion i ligjshëm i armatosur në Kosovë dhe popullata serbe e sheh atë si garantuesin e vetëm të sigurisë. Andaj, për Serbinë është shumë shqetësuese kur zvogëlohet kapaciteti ose roli i KFOR-it”, ka deklaruar Vulin.

Siç shkruan B92, Wolters vlerësoi kontributin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Forcave të Armatosura të Serbisë në operacionet shumëkombëshe, nën mandatin e Bashkimit Evropian dhe Kombeve të Bashkuara.

Kuvendi i Kosovës, në dhjetor të vitit të kaluar, ka miratuar ligjet, me të cilat mundësohet transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të Kosovës.

loading…