Aleksandar Vulin

Vulin nervozohet me Peach i cili kërkoi nga Serbia të vendos sanksione ndaj Rusisë: Nuk vendosim sanksione edhe pikë

Aleksandar Vulinit duket se i ka mbetur hatri që një ndërkombëtar ia ngacmoi Rusinë, shtetin për të cilin ai u bë shkas që të futet në listën e zezë të Amerikës.

Vulin i është ‘kapur’ Marshallit Stuart Peach i cili e dënoi organizimin e sulmit të armatosur terrorist në Banjskë të Zveçanit, në të cilin qytetarët e armatosur serbë sulmuan policinë e Kosovës. Peach gjithashtu kërkoi nga Serbia që të vendos sanksione ndaj Rusisë.

Është pikërisht Rusia për të cilën Vulin shpërtheu me komente negative ndaj të dërguarit britanik për Ballkanin Perëndimor.

“Dhe pastaj kërkuan që ne ta njohim Kosovën, të heqim dorë nga Republika Srpska dhe të vendosim në pushtet serbët e bindur që janë serbë vetëm rastësisht. Sot ai gjithashtu kërkon që ne të vendosim sanksione ndaj Rusisë. Zoti Peach ndryshon uniformat, por jo temperamentin e tij”, thotë Vulin.

“Dikur mjeshtër kolonial, gjithmonë mjeshtër kolonial. Vetëm Serbia nuk është koloni, nuk do ta njohë Kosovën, nuk do të pajtohet me zhdukjen e Republikës Srpska, nuk do të lejojë të huajt të emërojnë qeverinë e saj dhe nuk do të vendosë sanksione ndaj Rusisë. Serbia është pjesë e botës serbe, jo e Komonuelthit Britanik”, tha Aleksandar Vulin, i cili deri vonë ishte kreu i Agjencisë për Siguri dhe Informacion.