Ministria e Brendshme e Serbisë njoftoi se ka kontrolluar banesën dhe ambientet e tjera të Millan Radoiçiqit dhe se të njëjtit i është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë.

Sipas njoftimit, Radoiçiq u dërgua në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd me kallëzim penal.

Aty nuk jepen detaje të tjera.

Më 29 shtator, Radoiçiq mori përgjegjësinë për organizimin e sulmit në Banjskë.

Në këtë fshat të komunës së Zveçanit – pjesa veriore e Kosovës – grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës më 24 shtator, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues.

Radoiçiq ishte nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës – por dha dorëheqje nga kjo pozitë në ditën kur mori përgjegjësinë për sulmin.

Dy ditë ditë pas sulmit, në televizionin publik serb, Aleksandar Vuçiq pranoi haptas se e njeh Radoiçiqin, por jo edhe të tjerët që ishin pjesë e bandës terroriste, shkruan Ballkani.info.

“Sa dini për organizimin e atyre njerëzve, kush i komandon ata njerëz nga Kosova, a i njeh ata njerëz?” – pyeti gazetari Vuçiqin në lidhje me personat që shihen në videot e dala nga Banjska.

“Si nuk e njoh Milan Radoiçiqin”, u përgjigj Vuçiqi.

“A i komandon ai ata?” – pyeti gazetari.

“Nuk e di nëse i komandon, por më pyetët nëse i njoh ata njerëz. E njoh Milan Radoiçiqin. Këta tjerët nuk e di se cilët ishin, dhe as nuk e kam njohur asnjë. Tash kam dëgjuar për këta njerëz”, u përgjigj Vuçiq.

Vuçiq u hutua, pastaj pranoi se Milan Radoiçiq ishte në mesin e serbëve që u përplasën me policinë e Kosovës të dielën.

E sot kur Radoiçiq u arrestua nga policia serbe dhe po akuzohet për armëmbajtje pa leje, “Istinomer”, projekt ky në Serbi që merret me detektimin e mashtrimeve dhe deklaratave të rrejshme, e ka publikuar pikërisht deklaratën e Vuçiq ku hutohet dhe më pas e pranon që kryeterroristi serb ishte në mesin e sulmuesve në Banjskë.

“Kush është Milan Radoiçiq, deri dje nënkryetar i Listës Serbe?”, është përshkrimi që “Istinomer” e ka vendosur në videon e Vuçiqit ku ai flet për Radoiçiqin. /Ballkani.info/

Ko je doskorašnji potpredsednik Srpske liste Milan Radoičić? 🧵 pic.twitter.com/yiN6hbkijp

— #dasenelazemo (@istinomer) October 3, 2023