Zdravko Ponos

“Vuçiqin e zunë me ‘pantallona zhveshur’ në Kosovë, sistemi serb i sigurisë u çmontua”: Ish-Shefi i ushtrisë serbe thotë se pësuan “fiasko”

Sulmin terrorist të 24 shtatorit nga formacioni paramilitar i udhëhequr nga Milan Radojçiq në Banjskë të Zveçanit, ish-shefi i Ushtrisë së Serbisë, Zdravko Ponos, e ka quajtur “fiasko në terma diplomatik dhe politik” dhe “në sistemin serb të sigurisë”.

“Presidenti Vuçiq u trondit, jo aq për faktin që ka një grup të armatosur të serbëve, por nga fakti që shkoi si mos më keq. Tërë ditën atë ditë s’ka ditur çfarë të bëjë, dhe duke e marrë parasysh që atë ditë s’bëri asgjë është shumë më mirë që s’bëri gjë”, ka thënë Ponosh, siç e citoi “Vreme“.

Deri para këtij sulmi terrorist në Banjskë, Ponosh tha se Beogradi “ishte në një pozitë diplomatikisht tejet më lartë se Prishtina në negociata”, por se pas kësaj ngjarje “gjërat janë kthyer shumë prapa”.

Ndërkaq tash-e-tutje, sipas Ponosh, “nuk ka gjasa që ky regjim do të jetë negociues kredibil”; teksa shtoi edhe se tash më Vuçiqin “nuk i zënë besë” ata që me kanë pasur sukses në negocimin me të.

“Asgjë nuk është bërë siç duhet, dhe tash Vuçiqi do të jetë edhe më i cenueshëm ndaj shantazhit, sepse e zunë me ‘pantallona zhveshur’”, tha Ponosh, ndërsa vazhdoi të vlerësojë se tash Perëndimi e ka më të lehtë të përshpejtojë detyrimin e Vuçiqit “për të zbatuar atë që ka pranuar (Marrëveshjen Bazike)”.