Vuçiqi takohet me Lajçakun, pranon se temat janë të dhimbshme dhe se kompromisi nuk është i lehtë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq është takuar të hënën mbrëma me Miroslav Lajçakun, të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi.

Sipas Vuçiqit, Lajçaku mund të garantojë objektivitet dhe paanshmëri në proces.

“Temat për ne janë të dhimbshme, por zgjidhjet me kompromis asnjëherë nuk mund të jenë të lehta për Serbinë”, ka thënë Vuçiq pas takimit, raporton “b92.net”.

Lajçak të hënën pasdite ka arritur në Beograd dhe menjëherë është takuar me Vuçiqin. Fillimisht ka mbajtur një takim vetëm me të, e më pas një takim më të gjerë. Ai javën e kaluar ishte për vizitë në Kosovë.

Sipas “b92.net”, Vuçiq ka thënë se pret vazhdim të dialogut që në korrik. Ai nesër ka takim me Vladimir Putinin, por presidenti i Serbisë shpreson se deri te takimi në Uashington do të ketë një takim edhe me përfaqësuesit e Brukselit.

“Gjithsesi që neve nuk na presin ditë të lehta. Nuk do të ketë pyetje të lehta për Serbinë, por shpresoj se do t’ia dalim të ruajmë interesat tona vitale dhe nacionale”, ka thënë Vuçiq.

Ai i ka thënë Lajçakut se dialogu nuk ka kuptim nëse vetëm njëra palë merr pjesë.

“Ne jemi të hapur për bisedime, por kjo është gjëja që kërkojmë nga ana tjetër, e jo që para çdo takimi të na dërgojnë tabelë me kërkesa që është e pamundur t’i plotësojmë. Dua të falënderoj Lajçakun. Në Serbi është gjithnjë i mirëseardhur”, ka thënë Vuçiq.