Liderët autoritar, që shtypin popullin e tyre, në mesin e tyre edhe presidenti serb, Aleksander Vuçiq do të priten në hapjen e lojërave olimpike dimërore në Pekin të Kinës.

Se do të merr pjesë në hapjen e lojërave presidenti autoritar Vuçiq e ka konfirmuar edhe kabineti i tij.

Në njoftim thuhet se Vuçiq do të jetë në Pekin nga 3 deri më 5 shkurt, e bashkë me të do të jenë edhe diktatori i Bjellorusisë, Aleksander Lukashenko, ai i Rusisë, Vladrimir Putin.

Pekini do të jetë vend i grumbullimit të liderëve që po trazojnë qetësinë e Ballkanit dhe Evropës me veprimet e tyre kërcënuese për nisjen e luftërave të reja.

Shumica e liderëve të vendeve demokratike e kanë refuzuar ftesën e Pekinit që të marrin pjesë në këto lojëra olimpike, për shkak që Kina është duke shkelur të drejtat e njeriut ndaj një komuniteti mysliman që jetojnë në këtë shtet. Kina ka persekutuar këtë pakicë myslimane duke i dërguar nëpër kampe të përqendrimit për kinse “t’i edukuar”.

Mbarë bota demokratike e ka refuzuar dhe kundërshtuar politikën e Kinës, por jo edhe liderët autoritar, si Vuçiqi, që e kanë konfirmuar pjesëmarrjen.

Po ashtu Shtetet e Bashkuara, Britaninë, Kanadanë dhe Australinë, kanë shpallur një bojkot diplomatik të Lojërave për shkak të dhënave se të drejtat e njeriut në Kinë shkelen, duke përfshirë trajtimin e saj të kryesisht ujgurëve myslimanë në rajonin e saj Xinjiang, të cilin Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë gjenocid.

Franca, e cila mban presidencën e radhës të Këshillit të BE-së, është përpjekur të arrijë një qëndrim të përbashkët të BE-së në lidhje me pjesëmarrjen e politikanëve në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike të Pekinit, por në fund çdo vend anëtar individual mori vendimet e veta. Shumica e vendeve të BE-së përfaqësohen në nivelin e zyrtarëve të nivelit më të ulët.

Vuçiq pritet të ketë takime me presidentin kinez Xi Jinping.

Anëtarësimi në BE mbetet objektivi strategjik i Serbisë, pasi dy të tretat e shkëmbimit tregtar të saj janë me BE-në. Megjithatë, Serbia është afruar gjithnjë e më shumë me Kinën vitet e fundit.

Ceremonia e hapjes së Lojërave Olimpike të 4-20 shkurtit po zhvillohet të premten në stadiumin “Foleja e Zogjve”, në të njëjtin vend ku filluan Lojërat e Pekinit 2008, duke e bërë kryeqytetin kinez qytetin e parë që pret si lojërat verore ashtu edhe ato dimërore.

I ftuari më i rëndësishëm i Olimpiadës është presidenti rus Vladimir Putin, vizita e tij shënon një afrim të mëtejshëm midis Moskës dhe Pekinit në një kohë kur marrëdhëniet e tyre me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj janë përkeqësuar ndjeshëm.