Vuçiqi paralajmëron gatishmëri për ta pranuar konceptin evropian: Kam rezerva për një pikë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë pas takimit me pesë përfaqësues të Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Francës, Gjermanisë dhe Italisë se në ditët dhe javët në vijim do të mbajë konsultime me qeverinë, parlamentin dhe grupet tjera të rëndësishme për konceptin evropian për dialogun Kosovë-Serbi, duke thënë se “janë të gatshëm për të pranuar konceptin”.

Ai ka theksuar se në takim “ka shprehur” rezerva për një nga pikat “e rëndësishme”.

“Sigurisht që s’mund të flas për të sepse propozimi s’është publik”, ka thënë Vuçiqi të premten pasdite.

Vuçiqi ka thënë se takimi me pesë përfaqësues të lartë ndërkombëtarë “ishte shumë i vështirë, ndoshta biseda më e vështirë që kanë pasur”.

Po ashtu Vuçiqi ka thënë se “janë pajtuar që konflikti i ngrirë s’është zgjidhje”.

Sipas Vuçiqit, në takim ai u përball me problemet dhe sfidat që do t’i vendosen Serbisë nëse s’pajtohen për planin e propozuar.

“Nën këto kushte dhe të tilla, ne kërkuam nga ‘katërshja plus Lajçaku’ të na ndihmojnë të gjithëve t’i tejkalojmë turbulenca me të cilat po përballemi në Kosovë dhe besojmë se është koha e fundit për formimin e Asociacionit, që jo vetëm që u premtua, por edhe u nënshkrua para dhjetë vjetësh. Dhe është çështje urgjence, sepse vetëm pas kësaj është e mundshme një dialog dhe kthim në institucione dhe një lloj normalizimi i situatës”, ka thënë Vuçiqi, raporton “N1”.

Emisari special i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, bashkë me këshilltarët për polikë të jashtme dhe siguri të kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz dhe presidentit të Francës, Emmanuel Macron, Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne, këshilltarin diplomatik të kryeministrit të Italisë, Francesco Maria Talò dhe zëvendësndihmës sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, të premten qëndruan në Prishtinë dhe Beograd për hapat e mëtejmë të dialogut.

Para takimit me Vuçiqin, pesëshja ndërkombëtare takoi në Kosovë kryeministrin Albin Kurti. Pas takimit në Kosovë, përfaqësuesi i BE-së për dialogun, MIroslav Lajçak, u shpreh se ka pritur më shumë mirëkuptim për mundësitë që ofron propozimi evropian. Nga Qeveria njoftuan se u fol për planin evropian, që Kurti e ka parë si “bazë të mirë për diskutim të mëtejshëm për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohje reciproke në qendër”.