Vuçiq trimërohet para Putinit: Pa Rusinë nuk do të ketë zgjidhje për Kosovën

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka thënë, gjatë vizitës në Beograd, se “qendrimi rus sa i përket Kosovës është i njohur”.

“Ne pajtohemi për zgjidhje në pajtim me Rezolutën 1244”, ka thënë Putin.

Ai ka shtuar se “hapat e fundit të Kosovës – vendosja e taksës për mallrat serbe dhe krijimi i Ushtrisë së Kosovës, kanë nxitur rrezikshmëri serioze”, transmeton Ballkani.info.

“Rusia, sikurse edhe drejtuesit e shtetit serb, është e brengosur, sepse ato veprime mund të dërgojnë në destabilizimin e Ballkanit”, ka thënë Putin.

Rusia sikur Serbia është e interesuar që Ballkani të mbetet stabil dhe i sigurt, ka thënë Putin në konferencë të përbashkët me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në anën tjetër, Vuiq ka thënë se ka pasur nderin që të jetë nikoqir i “mikur të sinqertë dhe të dëshmuar të Serbisë”.

Ai ka thënë se presidentit rus ia ka thënë se Serbia gjithmonë ka qenë e gatshme për bisedime dhe kompromise, por që kurrë nuk mund të pranojë që të përulet.

“Kam frikë se disa njerëz nuk janë të gatshëm për kompromise. Ne edhe më tej do të insistojmë në atë dhe këtë ia kam thënë edhe Putinit, se askënd nuk do ta lejojmë ta poshtërojë Serbinë”, ka thënë Vuçiq.

Ai ju ka thënë gazetarëve në konferencën e përbashkët me Putinin se e ka njoftuar me të gjithë zhvillimet në lidhje me Kosovën, për taksën dhe për themelimin e Ushtrisë së Kosovës, që sipas tij është në kundërshtim me Rezolutën 1244.

“Me duket se në këtë rrafsh kemi mbeshtetje të rëndësishme të presidentit Putin”, ka thënë ai, transmeton Ballkani.info.

Sipas tij, “pa Rusinë nuk do të ketë asnjë zgjidhje të çështjes së Kosovës”.

“Para cilësdo zgjidhje do të këshillohem me Putinin”, ka theksuar ai. /Ballkani.info/