Vuçiq tregon se sa qindra miliona euro Serbia i jep çdo vit për serbët e Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka quajtur detyrë të vështirë situatën me Kosovën, teksa ka shtuar se “nuk është koha për pritje të mëdha”.

Në fjalimin e tij para deputetëve, Vuçiq ka thënë të martën se dikur kanë dashur të shtyjnë përpara çështjen Kosovës, por nuk kanë mundur të gjejnë zgjidhje. Ai më tutje ka thënë se e kanë për obligim që këtë ta zgjidhin, sipas qytetarëve serbë.

Duke iu referuar luftës, ai ka thënë se pas intervenimeve ndërkombëtare në Kosovë “kanë ngelur jo më shumë se 95 mijë serbë e jo më shumë se një milion shqiptarë”.

Sipas tij, raporti tani është 15:1 në favor të shqiptarëve, raportojnë mediat serbe.

“Kjo flet mjaftueshëm për peshën me të cilën po përballet populli dhe shteti ynë… Kemi bërë mjaftueshëm për t’u krenuar. Mesatarisht u kemi dhënë 500 milionë euro njerëzve tanë në vit”, ka thënë ai.

Sipas tij, në vitet 2020 dhe 2021 janë dhënë më shumë se 800 milionë euro për serbët në Kosovë. Sipas tij, nga këto ndihma kanë përfituar mësimdhënës, profesorë e doktorë. Ai ka thënë se janë ndërtuar 1467 vendbanime, teksa ka shtuar se Serbia “po i ndërton edhe 17 ndërtesa me 202 apartamente për çiftet e reja”.

Javën e shkuar, Serbia e Kosova patën takimin e parë që kur Albin Kurti është kryeministër i Kosovës. në këtë takim Kosova bëri katër propozime, por që s’u gjet marrëveshje për asgjë.

Paraprakisht, Kuvendi i Serbisë miratoi një raport të punës për Zyrën për Kosovën në Qeverinë e Serbisë për periudhën maj 2019-qershor 2021 dhe raportin për procesin e negociatave.

Raporti për negociatat flet për personat të cilët kanë marrë pjesë në negociata, temat e diskutuara në këto negociata dhe ato të cilat janë zbatuar deri më tani.

Sipas mediave serbe, deri më tani është konstatuar se Prishtina nuk ka themeluar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, nuk janë të rregulluara krejtësisht pikat për policinë dhe gjykatat, nuk ka përparim tek tema e energjisë, telekomunikacionit dhe as kadastrave. Gjithashtu thuhet se janë zvogëluar vizitat e zyrtarëve në Kosovë, nuk ka kthim të serbëve, dhe nuk ka përparim sa i përket njohjes së diplomave.

Megjithatë në raport thuhet se ka përmirësim bashkëpunimi, liria e lëvizjes se njerëzve dhe mallrave.