Vuçiq tregon që s’mund t’i durojë shqiptarët e Kosovës, e përmend Lidhjen e Prizrenit dhe Xhafer Devën

“Të gjitha planet dhe programet e Prishtinës janë të bazuara në Lidhjen e Prizrenit. Xhafer Deva dhe Enver Hoxha janë ideologët e tyre. Kurti ëndërron të jetë si Hoxha, dhe pak si Zelensky”, ka thënë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në një konferencë për media, i pyetur për deklaratat e Albin Kurtit, presidenti serb, Aleksandar Vuciq, ka thënë se Kosova ka plane të bazuar në Lidhjen e Prizrenit.

“Të gjitha planet dhe programet i kanë të bazuara te Lidhja e parë e Prizrenit nga viti 1889 (këtu ia ka huq, sepse Lidhja e Prizrenit është themeluar më 10 qershor të vitit 1878), Lidhja e dytë e Prizrenit nga viti 1943, kur u themelua lëvizja e Ballit Kombëtar, pastaj Lidhja e tretë e Prizrenit që u bë në Nju Jork, e që shkaktoi më së shumti dëm”, ka thënë Vuçiq.

Tutje ai ka thënë se ideologjia e pushtetit në Kosovës është saktësisht kjo, duke e lidhur krejt këtë interpretim të tij me renovimin e shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë.

Siç transmeton mediumi serb në Kosovë “Kossev”, Vuçiq ka thënë se po nderohet një “kriminel nazist”.

Ai tutje ka thënë se ideologjia e Kurtit dhe “ëndrra” e tij është të jetë si ish-diktatori komunist shqiptar, Enver Hoxha dhe “pak” si presidenti aktual i Ukrainës Volodymir Zelensky.

“Prandaj s’mund ta durojë Ramën. Vetëm nëse mund të jetë një përzierje e Enver Hoxhës me pak Zelensky. Prandaj thotë se “Vuçiq është Putni i vogël”.