Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar mundësinë e daljes së Serbisë nga Këshilli i Evropës nëse Kosova anëtarësohet.
Ai ka thënë se Kosova me gjasë do të pranohet në Këshillin e Evropës, shkruan Ballkani.info.
Vuçiq shtoi se pas kësaj, një nga mundësitë është që Serbia të largohet nga ai organ.
“Shkoni me këtë dhe pastaj do të shihni nëse Serbia do të mbetet në Këshillin e Evropës apo jo. Do ta shohim. Ndoshta ju pëlqen ta keni Prishtinën në Këshillin e Evropës më shumë se Beogradin dhe Serbinë”, tha Vuçiq për tv prva.
Ai tha se Serbia “gjithmonë ka pasur qëndrim liridashës”.
“Në këtë vend, kur flet për demokraci, mund të shikosh të gjitha televizionet këtu dhe ku tjetër në botë e ke këtë dhe të gjithë do të na flasin për demokracinë”, tha ai.
Siç shtoi ai, ajo organizatë nuk vendos për asgjë.
“Një nga opsionet është të dalësh. Ata e dëbuan Rusinë dhe kjo do të ishte de facto dëbimi i Serbisë”, theksoi Vuçiq. /Ballkani.info/







