Presidenti serb

Vuçiq thotë se Radoiçiq do të përballet me “procedura serioze” në Serbi

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, do të përballet “me procedura serioze në Serbi”.

Radoiçiq pranoi se ishte në krye të sulmit terrorist në Banjskë më 24 shtator ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku.

“Unë nuk jam person që dua t’i shqetësoj njerëzit kur ata kalojnë periudhë të vështirë, por e di se sa të provokuar kanë qenë serbët. Ai do të përballet me procedura serioze në Serbi. Natyrisht e gjithë kjo e vështirëson në mënyrë dramatike pozitën e Serbisë dhe nëse nuk do të kishim zgjedhje do të tregoja me disa detaje se sa probleme i solli realisht vendit”, tha Vuçiq në një intervistë për “NIN”.

Vuçiq ka thënë se Serbia ka “reaguar në mënyrë diplomatike gjatë gjithë kohës”.

“Nuk është koha për konflikt me NATO-n. Do të ishte e keqe dhe katastrofale për ne. Ne nuk duam të hyjmë në NATO, jemi vend ushtarakisht neutral. Duam marrëdhënie normale, profesionale e korrekte me NATO-n”, tha Vuçiq.

Vuçiq ka thënë se “serbët në Kosovën e dinë shumë mirë se ai luftoi për ta”.

“Edhe pas asaj që ndodhi në Banjskë, ishte e qartë se kush është në anën e tyre, e kush kishte pritur me padurim të ndodhte diçka e tillë. Ne nuk hoqëm dorë nga tabelat KM, por s’mund t’u them njerëzve se ne ua ndalojmë të marrin tabela tjera. Përndryshe mendoj se është dashur të pranohen të gjitha tabelat nga të gjithë, por Prishtina nuk deshi”, tha Vuçiq.

Vuçiq ka thënë se është shumë e mundur që marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i zbatimit i dakorduar në Ohër të bëhet pjesë e negociatave të Serbisë për anëtarësim në BE.

“Unë pas çdo vizite të tyre, e vetë në Ohër, kam dalë dhe kam thënë qartë se çfarë pranojmë e çfarë nuk pranojmë, sepse edhe deklarata ime gojore është një qëndrim i shtetit. Përveç kësaj, deputetëve në Kuvend u thash se nuk bëhet fjalë për pranim të Kosovës në OKB. Për këtë takova edhe francezët, gjermanët, italianët, gjithë evropianët e amerikanët. Të gjithë dinë gjithçka. Ekziston një mundësi që të futet në negociata. Nuk më takon mua të them tash se cilat dy vende po shtyjnë më fortë, nuk jam i sigurt nëse duan edhe të tjerët, kështu që të shohim”, ka thënë Vuçiq.

Organizata ndërkombëtare e policisë, INTERPOL, lëshoi fletarrestim për ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq, në lidhje me sulmin e armatosur në Banjskë – pjesa veriore e Kosovës.

Lajmin e konfirmoi Nenad Rashiq, ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës.

Ai tha se fletarrestimi është lëshuar me ndërmjetësimin e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, në bazë të kërkesës së Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës.

Meqë Kosova nuk është anëtare e INTERPOL-it, fletarrestimet ndërkombëtare lëshohen në këtë mënyrë.