Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sot ka folur rreth procesit të dialogut dhe takimit të 4 shtatorit që do të mbahet në Shtëpinë e Bardhë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Vuçiq ka thënë se pavarësisht atyre çfarë deklarohen dhe thuhen, është e qartë që edhe në Washington, edhe në Bruksel dhe kudo tjetër, tema e vetme është njohja reciproke Kosovë-Serbi.

 “E vetmja temë kudo, pa marrë parasysh se çfarë thotë dikush në SHBA, do të jetë njohja e ndërsjellë, në një mënyrë apo tjetër”, ka thënë Vuçiq.

Ai ka thënë se edhe procesi i dialogut që drejton BE në fund do të çojë tek njohja reciproke, veçse tashmë po diskutohet për normalizim raportesh.

“Kushdo që thotë ndryshe po gënjen popullin e tij, duke blerë kohë dhe duke mashtruar njerëzit”, ka theksuar Vuçiq.

Megjithatë kreu i shtetit serb ka thënë se pavarësisht se çfarë do të ndodh, do të ruaj interesin e Serbisë, derisa ka shtuar se tashmë janë duke i paguar gabimet e së kaluarës.

Vuçiq, tha se nëse ai do të pranonte takimin me presidentin Trump, ai do të ishte presidenti i parë serb që mund të ketë jo vetëm takimin e parë me Avdullah Hotin dhe Trump, por edhe një takim bilateral me presidentin amerikan.

“Meqenëse mendoj se e di se cila mund të jetë përmbajtja e asaj befasie, sepse e ndiej atë, dhe jo sepse kam të dhëna, ka më shumë të ngjarë që do ta refuzoj këtë dhe se ky takim nuk do të zhvillohet,” tha Vuçiq.

Ai gjithashtu tha se Serbia “duhet të paguajë çmimin e politikave të pasuksesshme nga vitet 1990”.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq pritet të takohen më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, me ftesën që u ka bërë këshilltari për Siguri Kombëtare, Robert O’Brein.