Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq u takua në Kremlin me presidentin rus. Vladimir Putin.
Në takim morën pjesë edhe ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov dhe zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, ministri rus i ekonomisë Maxim Reshetnikov, drejtori i Rosatom Alexei Likhachev dhe drejtori i Fondit të Investimeve Ruse Kirill Dmitriev – ndërmjetësi kryesor në negociatat midis Putinit dhe Trumpit.
Në fillim të takimit, Putin tha se e vlerëson faktin që presidenti serb Aleksandar Vuçiq erdhi në Moskë pavarësisht presionit, shkruajnë mediat pro qeveritare serbe, transmeton Ballkani.info.
“I nderuar zoti President, i dashur mik, më lejoni t’ju përshëndes ngrohtësisht në Moskë. Ne e vlerësojmë sinqerisht që jeni me ne në këtë ditë të rëndësishme dhe që jeni duke marrë pjesë personalisht në ngjarjet festive”, i tha Putin, Vuçiqit.
“Luftëtarët tanë luftuan krah për krah kundër pushtuesve nazistë,” tha Putin.
Ai theksoi se kujton një bisedë me Vuçiqin me rastin e 80 vjetorit të çlirimit të Beogradit.
“Ne vlerësojmë kursin e pavarur dhe sovran të Serbisë në marrëdhëniet ndërkombëtare,” tha Putin.
Presidenti rus shtoi se Gazprom është një furnizues i besueshëm dhe i përgjigjet kërkesave të Serbisë dhe ofron furnizime shtesë të gazit përveç atyre të parashikuara në kontrata.
Vuçiq ia kthej atij rusisht. “Ne jemi krenarë për rolin e popullit tonë në çlirimin e vendit nga pushtuesit nazistë dhe i jemi shumë mirënjohës Ushtrisë Sovjetike që luajti një rol të madh në këtë çlirim. Dëshiroj t’ju shpreh mirënjohjen time personalisht për mbështetjen tuaj të jashtëzakonshme për integritetin territorial të Serbisë, sovranitetin tonë dhe për kontributin tuaj të jashtëzakonshëm në zhvillimin e marrëdhënieve tona dypalëshe”, tha Vuçiq.
Ai tutje tha se pajtohet me Putinin se është e nevojshme të rritet tregtia dhe shton se ka mundësi të mëdha për një gjë të tillë.
“Shpresojmë se do të jemi në gjendje të ruajmë të njëjtat kushte ose ndoshta edhe t’i përmirësojmë ato”, tha Vuçiq.
“Faleminderit edhe një herë për këtë paradë madhështore dhe shpresoj t’ju shoh në Serbi, në Beograd. Delegacioni im dhe unë ndihemi si në shtëpinë time këtu. Faleminderit shumë!”, tha presidenti i Serbisë.
Pas fjalimit të hapjes, takimi vazhdoi me dyer të mbyllura.
Vizita e Vuçiqit në Moskë u kritikua ashpër nga Bashkimi Evropian, mirëpo masa ndaj tij dhe Serbisë nuk janë paralajmëruar. /Ballkani.info/






