Milan Radojiçiq

Vuçiq s’e quan më “hero” Radojiçiqin, thotë se “ai do të duhet t’iu përgjigjet thirrjeve të autoriteteve në Serbi”

Pasi Milan Radojiçiq, udhëheqësi i grupit terrorist, e pranoi se qëndron në krye të sulmit kundër Policisë së Kosovës, presidenti serb Aleksandër Vuçiq, doli e tha se Radojiçiq “do të duhet t’i përgjigjet ftesës së autoriteteve kompetente shtetërore në Serbi”.

Vuçiq fillimisht e quajti Radojiçiqin “hero të serbëve”, pas sulmit terrorist në Banjskë të Kosovës, por tani thotë se “autoritetet kanë arsye të bëjnë pyetje”.

“Nëse prokurori do ta ndjekë penalisht dhe për çfarë krimi, kjo nuk është pyetje për mua. Është pyetje e prokurorit dhe organeve të tjera kompetente shtetërore”, tha Vuçiq, përcjellin mediat serbe.

“Nëse dikush mendonte se do të ikte ose do të fshihej, nuk do ta bënte”, shtoi ai.

Thënë këtë, Vuçiq vazhdoi me deklarime se Radojiçiq “është krenar për rolin e tij në konfliktin e armatosur”.

Duke komentuar deklaratën e Radojiçiq se “Beogradi nuk ka lidhje me ngjarjet në Kosovë”, Vuçiq ka thënë se Serbia nuk e ka ndërmend “ta shkatërrojë pozicionin e saj”.

I ballafaquar me faktin se armët ishin prodhime të Serbisë, ai u mundua ë ngreh paralele duke thënë se armë të Serbisë ka edhe në Ukrainë akoma më shumë, “por kjo nuk do të thotë se ne kemi filluar një luftë në Ukrainë”.