Vuçiq: S’do të flas me Kurtin derisa çdo serb i arrestuar të lirohet

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka folur edhe për Kosovën pas takimit që ka pasur me kryeministrin hungarez Viktor Orban.

Vuçiq u shpreh se mbrëmë kishte diskutuar me Orbanin edhe për situatën e Kosovës, duke theksuar që kishte marrë pjesë në bisedime për 11 vjet.

“Shkova për të arritur paqe. Vendi ynë eci përpara më shpejt se vendet që mbajnë barrën. Krejt kjo ishte e mundshme, deri në ardhjen e Kurtit që kurrë nuk shfaqi dëshirë për bisedime. Ai vinte të mbante monologët e tij, por nuk donte të fliste. Më lirni t’ua them, që fjalëpërfjalshëm nuk po fle natën. Nuk i kam thënë askujt se çfarë kërcënimet i janë drejtuar Serbisë,” – vazhdoi me fjalët e zakonshme viktimizuese ai.

Sipas presidentit të Serbisë, ai (siç) serbët po arrestoheshin sepse “ishin fajtorë që ishin gjallë!”

Në fakt, serbët e arrestuar janë të dyshuar për vepra të ndryshme penale nga autoritetet e Kosovës.

Më pas ai foli për bisedimet e mundshme me kryeministrin Kurti.

“Nuk do të flas me Kurtin derisa çdo serb i arrestuar të lirohet, derisa kryetarët të tërhiqen nga komunat, policia speciale të tërhiqet dhe të ndalen arrestimet e përditshme të serbëve. E dini, Kurti ka punë më të rëndësishme për të bërë në Vatikan, për të kërkuar njohjen e pavarësisë së Kosovës,” – vazhdoi tutje Vuçiq.

Presidenti serb vazhdoi tutje të pretendonte se serbët po keqtrajtoheshin nga autoritetet e Kosovës.