Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë sot se Kosova me vendosjen e taksës për mallrat serbe e ka ngrirë të ashtuquajturin konflikt të ngrirë.
Ai ka thënë se për këtë i frikësohet çdo gjëje që mund të ndodh në të ardhmen.
Vuçiq gjithashtu ka folur edhe për emërimin e ministres së re të Bujqësisë nga kryeministri Ramush Haradinaj. Sipas tij, Haradinaj sot ka emëruar “serb privat” për ministër tij, në vend të Nenad Rikallos të shkarkuar, transmeton Ballkani.info.
Vuçiq, pas takimit me ministren franceze të ngarkuar për Punë të Evropës, Natali Loazo, ka thënë se bashkëbisedueses i ka thënë se “sa e vështirë është situata sa i përket Kosovës, kur dikush vendos taksë prej 100 për qind, dhe nuk përmbush Marrëveshjen e Brukselit, duke mos formuar Asociacionin e Komunave me shumicë serbe”.
“Është e pamundur që çdo ditë të kapërdihen fyerje të gjithanashme, siç është kjo e fundit, kur Ramush Haradinaj zgjedh serb privat për ministrje të tij, dhe të cilën askush nuk e ka zgjedhur, në mënyrë që të tregojë së është i gjithëfuqishëm. Serbia këtë nuk do ta pranojë, do ta mbrojë nderin e saj dhe popullin, kurse do të bëjmë përpjekje që ta ruajmë paqen dhe stabilitetin me çdo çmim, por nuk do të lejojmë që dikush ta përulë popullin tonë dhe mos e bëj Zot që t’i sulmojë ata”, ka thënë Vuçiq. /Ballkani.info/






