Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vu[iq, ka thënë se çështja e devijimit të rrjedhës së lumit Ibër është “çështje e brendshme e Serbisë”. Ai për televizionin serb “RTS” ka thënë se nuk di se çfarë lidhje ka “Ibri me Shqipërinë”. 

“Është çështje e brendshme e jona. Nuk e di se çfarë lidhjeje ka Ibri me Shqipërinë”, tha Vuçiq. 

Deklarata kërcënuese e presidentit serb, Vuçiq, për mundësinë e ndërrimit të rrjedhës së lumit Ibër është vlerësuar shoviniste e destabilizuese nga ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu. E në reagimin e tij, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka thënë se uji nuk mund të përdoret si instrument presioni politik e as si mjet për të ndëshkuar një vend.

“Serbia është palë e Konventës së UNECE-së për Mbrojtjen dhe Përdorimin e Ujërave Ndërkufitare dhe Liqeneve Ndërkombëtare që prej vitit 2010 dhe ka pranuar edhe mekanizmat e saj për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Shqipëria pret që Serbia të respektojë plotësisht detyrimet e saj ndërkombëtare dhe parimet e fqinjësisë së mirë… Uji nuk mund të përdoret si instrument presioni politik dhe as si mjet për të ndëshkuar një vend apo një popullsi tjetër. Shqipëria mbështet fuqimisht të drejtën e Kosovës për siguri, zhvillim të qëndrueshëm dhe mbrojtjen e burimeve të saj ujore”, ka shkruar ministri Hoxha.

Presidenti serb në deklaratën e tij nuk e ka fshehur qëllimin e idesë për Ibrin, duke thënë se “meqë serbët po maltretohen në Kosovë, me ndryshimin e rrjedhës së tij do të shohim se çfarë do të bëjnë dhe si do të sillen shqiptarët”. I njëjti, edhe në dhjetor të vitit 2024, pas sulmit terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit, ka thënë se ideja e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit ekziston që nga viti 1985. 

“Ne tashmë kemi ftuar ekspertët që merren me këtë çështje, sektorin e ndërtimit, inxhinierë dhe të tjerë. Meqë po e maltretojnë kaq shumë popullin tonë, të shohim, kemi arsye të ndryshme për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit, dhe pastaj do të shohim se çfarë do të bëjnë shqiptarët dhe si do të sillen”, deklaroi Vuçiq më 9 gusht gjatë një vizite në një punishte në Beograd.