Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se arrestimi i Sreçko Sofronijeviq në Kosovë të shtunën si i dyshuar për “prishje të rendit kushtetues” u bë nga autoritet e Kosovës me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.
“Sreçko është një hero serb. Arrestimi i tij u krye me mbështetjen e drejtpërdrejtë të BE-së dhe SHBA-së. Autoritetet e Prishtinës dje arrestuan një burrë jashtëzakonisht trim të cilin e kishin plagosur në vitin 2021. Ata policë ishin terroristë, sepse nuk kishin të drejtë të ishin në Veri të Kosovës, të drejtë kishin vetëm pjesëtarët e nacionalitetit serb të jetë aty dhe tani po e akuzojnë për përmbysje të rendit kushtetues”, tha Vuçiq para gazetarëve.
“Në momentin kur drejtësia jonë është e gatshme të bëjë punën e saj, të gjithë ata që shkelin Kushtetutën tonë ku kemi pushtet efektiv do të ndiqen dhe arrestohen, Kushtetuta jonë është ajo që duhet t’i përmbahemi, jo rekomandimeve të ambasadave të huaja”, vuri në dukje ai.
Vuçiq ka folur edhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, duke thënë se shteti i tij i ka marrë të gjitha masat për ta kundërshtuar.
“U shkrova letra të gjithë anëtarëve të Këshillit të Evropës, 14 letra të ndryshme për liderët evropianë, kryesisht të personalizuara. Unë iu drejtova secilit prej tyre duke pasur parasysh rrethanat dhe marrëdhëniet specifike që kemi”.
Tutje, kreu i shtetit serb ka akuzuar Qeverinë e Kosovës për siç ka pretenduar ai “terror të pastër ndaj popullit serb”.
“Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe nuk është formuar ende. Ne do të vazhdojmë të luftojmë”, nënvizoi ai.
Lidhur me këtë arrestim ka reaguar edhe Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës, njëherit të dirigjuarit e Beogradit zyrtar.
Ashtu edhe siç pritej, ata kanë akuzuar autoritetet kosovare gjoja për “terror ndaj serbëve”.
“Arrestimi i sotëm i bashkëqytetarit tonë S.S nga policët e Kurtit derisa ai së bashku me bashkëshorten e tij nisën udhëtimin për në Serbinë qendrore në vendkalimin Bërnjak, është vazhdimësi e terrorit të regjimit në Prishtinë ndaj popullit tonë, por edhe ndaj S.S”, kanë thënë ata.







