Dinari serb

Vuçiq: Nuk ka marrëveshje për dinarin

Nuk ka asnjë marrëveshje sa i përket çështjes së përdorimit të dinarit në Kosovë, thotë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Ai ka theksuar se pavarësisht kërkesës për heqjen e monedhës, megjithatë nuk do ta pranojë atë.

“Nuk ka marrëveshje për çështjen e dinarit, ju po kërkoni që të pajtohemi që të heqim monedhën tonë nga territori ynë. Nuk do ta bëjmë dhe nuk mundemi”, tha Vuçiq, transmeton “RTS”.

Ai ka theksuar se Serbia “do të gjejmë mënyrën për t’i dhënë para popullit të saj”.

“Thjesht po pres që të shohim këtë rreth Këshillit të Evropës dhe më pas do të duhet të përballen me faktin se do t’i zbuloj gjithë botës se si dhe në çfarë mënyrash gënjyen e mashtruan Serbinë dhe çfarë bën kundër Serbisë, jo këta nga Prishtina, por këta perëndimorë, që u paraqitën si ndërmjetës të ndershëm”, tha Vuçiq.

“Do të flas për shumë gjëra, do të prezantoj informacione për gjëra të ndryshme, shumë do të habiten, si nga fusha e krimit e korrupsionit, po ashtu edhe nga integrimi evropian, situata në marrëdhëniet me Prishtinën, për gjithçka që po ndodh në Republika Sërpska, Bosnjë-Hercegovinë dhe për shqetësimet e popullit serb”, ka thënë Vuçiq.