Vuçiq: Nuk frikohemi nga 3.700 ushtarë të NATO-s, ne kemi më shumë ushtarë

Në seancën e djeshme të parlamentit serb për Kosovën, presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka thënë se ka sfida të mëdha të sigurisë, por edhe po rritet prania e forcave speciale të Policisë së Kosovës në veri të Kosovës.

“Nuk ka krijim artificial të krizave nga ana jonë”, pretendon Vuçiq, duke thënë se rreziku është “i afërt, objektiv dhe serioz”.

“Serbia në asnjë mënyrë nuk ka marrë pjesë në gjenerimin e krizës. Përkundër të gjithave, ne ishim konsekuent në favor të dialogut, të vetëdijshëm se zgjidhja paqësore e problemit është e vetmja rrugë dhe se çdo gjë tjetër çon në destabilitet dhe konflikte të mundshme”, ka pretenduar Vuçiq.

Ai ka nënvizuar se “Serbia është konstruktive, por jo nga frika nga 3700 ushtarët e KFOR-it në Kosovë”, përcjell Paparaci.

“Ne kemi më shumë ushtarë se ata dhe nuk jemi më pak të armatosur. Por problemi është se ne do të shkaktonim katastrofë për të gjithë vendin nëse nuk do të donim paqen dhe stabilitetin”, ka thënë Vuçiq.

Ai thotë se për këtë arsye ka kërkuar nga përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare “që të kërcënojnë Prishtinën që të mos provokojë konflikte”.