Vuçiq nga Rashka telefonon Lajçakun: Kam pirë qetësues – Ndaleni Kosovën ju ose i ndalim ne!

“Ndalini ju ose do t’i ndalojmë ne”, janë fjalët që Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq tha se i ka thënë Përfaqësuesit të Posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Presidenti i Serbisë, në mbledhjen urgjente që ka thirrur me serbët e Kosovës në garnizonin ushtarak të Rashkës, të mbledhurve u është drejtuar me “unë mendoj njëjtë si ju”, pasi ata bënë ankesat e tyre për aksionin policor të së mërkurës në nivel vendi në Kosovë, por që përfshinë edhe Komunën e Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanin.

“Unë do t’ju dëgjoj tërë ditën, po qe nevoja 24 orë, dhe do t’ju përgjigjem të gjithëve”, u tha Presidenti i Serbisë të mbledhurve serbë.

Ndërsa, të mbledhurve ju tha se, “në një takim të tillë, nuk e kuptoj pse duhet të ketë kamera këtu”, por se megjithatë, tha ai, “është dëshira juaj, dhe unë pajtohem me atë”.

Vuçiq tha se “kam pirë qetësues” në mënyrë që të jem i qetë “duke e ditur që dikush ka shtënë me armë mbi njerëz”.

Ndërsa brohoritjet e të mbledhurve serbë ishin se “kjo do të jetë hera e fundit”, ndërsa Ministri i Qeverisë së Kosovës, Goran Rakiç, tha se “nëse ka herë tjetër, do të mbrohemi me gjithçka që kemi”.

“Nuk do të ketë herë tjetër, na qëlluan vëllaun tonë që ishte bashkë me ne”, bërtiti një serb nga publiku.

Ndërsa edhe vetë Vuçiq tha se është i “interesuar të dij se si u qëllua Sofronijeviç”.

“Nuk do t’ju flas shumë për të kaluarën. Nuk do të flas se sa shumë serbë ka pasur në Kosovë në vitin 1961 dhe sa kanë mbetur sot në Kosovë”, tha ai.

“Besoj shumë mirë se ju e dini se sa shumë kemi luftuar për të ruajtur shtetin dhe popullin serb, pa e rrezikuar tërësinë e popullit dhe shtetit”.

Vuçiç tha se i kupton brengat e serbëve  dhe i garanatoi se mendon  njëjtë sikurse ata.