Vuçiq: Nga Beogradi do të niseni deri në Tiranë dhe askush s’do t’iu ndalë

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, në “Forumin Ekonomik për Bashkëpunim Rajonal” që po mbahet në Shkup, e ka quajtur historike nismën mes shtetit të tij, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për tregti të lirë.

Ai ka thënë se së shpejti qytetarët e këtyre tri shteteve do të mund të lëvizin pa i ndalë askush që nga Beogradi në Tiranë dhe anasjelltas, duke mos përmendur fare Kosovën këtu.

“Kur e nisëm këtë nismë, neve të treve na është dukur se është diçka që është për të mirën ton, për të ardhmen dhe do të ndryshojë gjërat në Ballkan. Për të gjitha gjërat që shumë lehtë i gjenim mangësi njëri-tjetrit dhe me lehtësi gjenim aryse për mosmarrëveshje të ndërsjella”.

“Ndërkaq Serbia dhe Shqipëria kurrë nuk kanë qenë në marrëdhënie aq të afërta dhe të gjithë kishim probleme të ndryshme. Megjithatë, vendosëm se si nga fokusi nga e kaluara të kthehemi nga e ardhmja dhe të mendojmë për atë se kemi dhe duhet t’i lëmë diçka atyre që vijnë pas nesh, fëmijëve tonë. Në dy vitet e kaluara kemi zhvilluar një besim të sinqertë mes nesh në kuptim të zhvillimit të marrëdhënieve në rajon më qasje drejt BE-së dhe botës. Nuk jemi as torollakë as naivë që të mendojmë se dikush do të punojë në favor të vendeve tona”.

Vuçiq tha se shumë lehtësisht u morën vesh me kryeministrin shqiptar dhe atë maqedonas për të vënë nënshkrime në marrëveshje të caktuara.

“Ky besim është i rëndësishëm dhe ky ka ndodhur. Ne kemi vende të pavarura dhe sovrane, prandaj për ne s’ekzistojnë kufijtë. Meqë nuk ka ndalesë nëpër vende, thjesht s’ndaleni në kufi”.

Presidenti serb para të pranishmëve bëri thirrje që e kaluara mes vendeve të lihet prapa dhe të shikohet drejt së ardhmes, duke potencuar se prapë se prapë ka dallime të mëdha në mes tyre.

Po ashtu, Vuçiq tha se ata që e kundërshtojnë nismën e tri vendeve mendojnë për interesa të tyre partiake dhe jo për të ardhmen e qytetarëve të rëndomtë.

“Do të kemi oponentë ndaj do të hulumtojnë për teori konspiracioni dhe që mendojnë veç për zgjedhjet e ardhshme dhe jo për të ardhmen afatgjate”.

Vuçiq tha se në Serbi ka mungesë të investimeve të huaja edhe për shkak të mungesës së fuqisë punëtore, prandaj thotë se përmes kësaj nisme synon që fuqia punëtore të përdoret bashkërisht në fabrikat që mund të hapen në Vranje, Kukës apo Kumanovë.