'Bloomberg'

Vuçiq: Kurrë nuk do t’ia kthej fjalën Merkelit, i kam thënë edhe Rusisë

Presidenti serbe, Aleksandar Vuçiq ka thënë se është i vendosur që të hyjë në histori si njeriu që bënë pajtimin etnik dhe territorial në rajon, shkruan agjencia “Bloomberg”.

Siç thekson kjo agjenci, pikërisht ky rajon është “sinonim për luftë”.

Në intervistën me titull “Kur Merkeli flet, aleati i vjetër rus dëgjon”, Vuçiq ka thënë se nuk dëshiron ta zemërojë kancelaren gjermane, Angela Merkel, sado që kjo ndonjëherë është e vështirë.

“Aleati më i fuqishëm i Rusisë në Ballkan”, siç shkruan “Bloomberg”, thotë se nuk do t’i reagojë kancelares Angela Merkel, por megjithatë kjo ndonjëherë mund të jetë e vështirë.

“Duhet të tregojmë besnikëri”, ka thënë Vuçiq në intervistë, transmeton Ballkani.info.

Siç ka thënë, biseda me Merkelin “nuk ka qenë e lehtë”, por shton se kurrë nuk do të thotë asgjë kundër saj.

Sipas “Bloomberg”, trasimi i rrugës së Serbisë drejt BE-së, e cila është në kundërshtim me interesin e Rusisë që ta mbajë ndikimin, teston marrëdheniet tradicionale në Ballkan.

Në një tekst të zgjeruar, i cili është bazuar në bisedë me Vuçiqin, agjencia vlerëson se presidenti i Serbisë ndodhet në mes të “litarit lëvizës” ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit dhe se ai është qenësor për të ardhmen e rajonit në rrethanat në të cilat nga BE dhe Gjermania vijnë paralajmërime për pasoja të rrezikshme në rast se nuk ka bashkëpunim të liderëve rajonal.

Vuçiq, siç thuhet tutje, duhet të pajtohet me Kosovë, “shtetin kryesisht shqiptar që e ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, një dekadë pasi që forcat e NATO-s e larguan ushtrinë serbe nga ai territor”.

Ky është kushti, bashkë me reformat në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit, që Serbia t’i bashkohet BE-së.

“Presidenti i Serbisë dhe kolegu i tij kosovar, Hashim Thaçi, duket se ishin afër marrëveshjes këtë verë. Megjithatë, vetëm përmendja e idesë që mund të vihet deri te shkëmbimi i territoreve, në rajon ku kanë ndodhur luftërat më të përgjakshme që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, bën që të ketë lëvizje në bashkësinë ndërkombëtare, por edhe u ngritën shqetësime se mund të ketë konflikt të ri në rajon. Qeveria e Merkelit këtë e quajti hapje të ‘Kutisë së Pandorës’”, shkruan “Bloomberg”. /Ballkani.info/