Vjedhja e zgjedhjeve

“Vuçiq konsolidoi pushtetin në një vend që kërkon anëtarësimin në BE, duke ruajtur në të njëjtën kohë lidhje të ngushta me Rusinë”: CNN raporton për protestat masive në Serbi

Mijëra njerëz u mblodhën në Beograd të dielën në një protestë antiqeveritare duke kërkuar anulimin e rezultateve të zgjedhjeve të përgjithshme të mbajtura javën e kaluar, të cilat vëzhguesit ndërkombëtarë i konsideruan “të padrejta”, raporton CNN.

Demonstruesit u përpoqën të hynin në Kuvendin e Qytetit në Beograd, duke përdorur shtiza flamujsh dhe gurë për të thyer xhamat e ndërtesës, por u zmbrapsen nga policia, transmeton Ballkani.info.

Partia Progresive Serbe (SNS) në pushtet fitoi 47 për qind të votave, duke çimentuar sundimin dhjetëvjeçar të Aleksandër Vuçiqit në vendin ballkanik, i cili po kërkon anëtarësimin në Bashkimin Evropian duke ruajtur lidhje të ngushta me Rusinë.

Misioni monitorues ndërkombëtar tha se zgjedhjet u mbajtën në “kushte të padrejta”, duke përmendur paragjykimet e mediave, ndikimin e Vuçiqit dhe “kanosjen dhe presionin ndaj votuesve, përfshirë rastet e blerjes së votave”.

Anëtarët e koalicionit opozitar “Serbia kundër dhunës” – një lëvizje opozitare e sapolindur e themeluar pas muajsh protestash antiqeveritare këtë verë – morën pjesë në protestën e së dielës dhe akuzuan Vuçiçin për vjedhjen e zgjedhjeve.

“Vuçiq, ti vodhe jo një, por mijëra e mijëra vota”, tha në protestë Marinika Tepiq, e cila është në grevë urie që nga dita e zgjedhjeve. Ajo bëri thirrje që zgjedhjet të anulohen.

Sërgjan Milivojeviq, gjithashtu një anëtar i koalicionit opozitar, e quajti Vuçiqin “një hajdut që bota nuk e ka parë kurrë”. Ai u pa duke tentuar të hapte derën e Komunës së Beogradit, por nuk mundi të hynte.

“Vuçiq, largohu”, bërtitën turma para ndërtesës.

Duke iu përgjigjur protestave në fjalimin e tij drejtuar kombit të dielën në mbrëmje, Vuçiq u tha serbëve të mos shqetësohen “sepse nuk ka revolucion”.

“Ata nuk do të mund të arrijnë asgjë me këtë dhe le të përpiqemi të mos lëndojmë asnjë nga protestuesit e rastësishëm duke reaguar butësisht, me qetësi”, tha Vuçiq.

Protestat vijnë pasi qeveria e Vuçiqit përballet me një presion ndërkombëtar në rritje për të hetuar raportet për parregullsi zgjedhore gjatë votimit të javës së kaluar.

Zyra e OSBE-së njoftoi se dita e zgjedhjeve ishte “shënuar nga mangësi të shumta procedurale”.

Ministria e Jashtme gjermane tha se gjetjet ishin “të papranueshme për një vend me statusin e një kandidati për anëtarësim në BE”.

Misioni i vëzhgimit të zgjedhjeve CRTA, një organizatë e pavarur me qendër në Beograd, raportoi se “migrimi i votuesve” – ​​ku njerëzit transportohen “nga rajone të tjera në Serbi dhe nga jashtë” për të votuar në komuna të caktuara – “mund të ishte përdorur në një shkallë të gjerë për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve lokale”.

Andreas Schider, një deputet austriak i Parlamentit Evropian, tha se “lajmet për autobusët e jorezidentëve që vijnë për të votuar në Beograd janë tronditëse. Vjedhja e votave, ryshfeti dhe korrupsioni nuk duhet të lejohen në një botë demokratike”. /Ballkani.info/