Vuçiq komenton për mediat e Kosovës, reagon gazetari kosovar: Ai ishte hakmarrë ndaj tyre gjatë kohës sa ishte ministër i Informimit

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq gjatë takimit me përfaqësuesit e Listës Serbe dhe kryetarët e komunave me shumicë serbe në Kosovë ka komentuar edhe për çështjen e mediave në vendin tonë.

Vuçiq në një konferencë për medie, pas takimit të fundit në Bruksel, është shprehur se nuk i lexon mediat në Kosovë.

“Edhe pse nuk kam lexuar media shqiptare, edhe pse e kam për detyrë të lexoj median shqiptare”, ka thënë Vuçiq.

Mirëpo, se presidenti serb merret me mediat shqiptare, këtë ia ka kujtuar gazetari Albert Spahiu, duke treguar momentin kur ai e kishte dënuar një të tillë deri sa ishte ministër i Informimit në regjimin e Sllobodan Millosheviqit.

Spahiu me anë të një reagimi në Twitter, duke shpërndarë një video, ka thënë se Vuçiq duhet të merret me lirinë e mediave në vendin e tij, e cila është në nivelin më të ulët në rajon.

“Çfarë problemi ka presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq me mediat shqiptare të Kosovës? Një çështje më e madhe për ish-ministrin e Informimit të regjimit të Sllobodan Millosheviçit do të duhej të ishte liria e medias në vendin e tij, e cila është e dobët”, thuhet në reagimin e Spahiut.

Në video tregohet se Vuçiq derisa ishte ministër, më 12 mars 1999, kishte dënuar një të përditshme shqiptare me 800 mijë dinarë të kohës.