Vuçiq: Kokat e nxehura në Kosovë duhet ta kuptojnë se sa e fuqishme është Serbia sot

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë sot së i frikësohet më së shumti mundësisë të eskalimit të situatës në Kosovë, pasi që, sipas tij, “është e dukshme që në Prishtinë kemi punë me njerëzit që tmerrësisht janë të papërgjegjshëm dhe të cilët nuk kuptojnë se hedhja e vajit në zjarr mund të çoj në katastrofë”.

Sipas tij, në Kosovë janë nxehur kokat, dge për këtë tërë situatën e përjetojnë si “problem të madh, të vështirë dhe si natë ankthi”.

Ai ka thënë se politikanët shqiptarë, por edhe disa në Serbi, nuk e kuptojnë se më nuk ekziston konflikti i ngrirë.

“Ai është shkrirë dhe vetëm po shikojmë që dëmi të jetë sa më i vogël dhe ta ruajmë paqen”, ka thënë Vuçiq.

Tutje ai ka thënë se e pranon që atë që po e bën Prishtinë, është e rrezikshme, sepse heqja dorë nga dialogu krijon mundësi për cilindo skenar.

Vuçiq ka thënë se nuk do ta kërcënojë Kosovën. “Politikanët shqiptarë këtë duhet ta kuptojnë si përgjegjësi, dhe jo dobësi të Serbisë”, ka thënë ai.

“Shpresoj që dikush tjetër, të cilët nuk janë më të fortë se ne, do ta kuptojnë mirë se kjo askujt si duhet. Kjo është lutje për ata, nuk është as paralajmërim, që ta kuptojnë mirë që Serbia sot është shumë më e fuqishme, por se këtë nuk dëshiron ta tregojë”, ka thënë Vuçiq. /Ballkani.info/