Aleksandar Vuçiq ka mbërritur në Banja Llukë, ku do të takohet me Presidentin e Republikës Srpska, Milorad Dodik, në Pallatin e Republikës, para se t’i drejtohet shkurtimisht publikut.

“Më këshilluan dhe më thanë se nuk ishte koha më e mirë, të prisja të kalonte pak kohë dhe pastaj të shkoja në Banja Llukë. Unë thashë se sigurisht nuk ishte një kohë e favorshme dhe e gëzueshme, por nëse do të kisha mundur të isha në Banja Llukë disa ditë më parë kur festuam së bashku Sretenjen, festën tonë kombëtare, kur po gëzoheshim, do të ishte turp të mos isha me populli tonë”, ka thënë Vuçiq, transmeton Ballkani.info.

“Sot është një ditë e vështirë për të gjithë popullin serb. E di se sa e vështirë është për Milen (Dodikun), dhe para se të rrëfejë, pashë një lot në sy dhe e di se sa padrejtësia dhemb dhe shtyp, por kjo është një ditë që zbuloi shumë më tepër. Kjo është dita kur Republika Srpska u sulmua,” vazhdoi ai.

“Unë jam gjithmonë pro që vendimet që marrim të jenë racionale, gjithmonë absolutisht të qetë, të durueshëm dhe tolerant. Këtë do t’ia përcjell presidentit Dodik sonte, por ka vetëm një gjë në të cilën mund të mbështeteni gjithmonë, ajo është që nuk do të përpiqem të kushtëzoj askënd me asgjë. Do të them atë që mendoj dhe kjo është e gjitha”, tha Vuçiq.

Gjykata e Bosnje-Hercegovinës në Sarajevë e dënoi sot Dodikun me një vit burgim dhe gjashtë vjet ndalesë të ushtrimit të detyrës së presidentit, duke nisur nga dita kur hyn në fuqi vendimi. Ndërsa, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Gazetës Zyrtare të këtij entiteti, Millosh Llukiq, u liruar nga të gjitha akuzat.

Të dy ishin të akuzuar për mosrespektim të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë të bashkësisë ndërkombëtare, Christian Schmidt.

Vuçiqi arriti në mbrëmje në Banja Llukë, ku u mblodhën qytetarë për ta pritur ardhjen e tij. Aty ai pritet ta zhvillojë një takim me Dodikun. Pas arritjes atje, Vuçiqi tha se “kjo është një ditë e vështirë”. /Ballkani.info/