Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka arritur në aeroportin “Nikola Tesla” të Beogradit ku është pritur nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Shpresoj se këtu do të ndjeheni si në shtëpinë tuaj” i tha presidenti serb homologut të tij rus në fillim të pritjes shtetërore.
Vuçiq e falënderoi Putinin për “mundin, kohën, respektin dhe dashurinë në zhvillimin e raporteve serbo-ruse”. Ai gjithashtu e falenderoi Putinin për mbështetjen në mbrojtjen e integritetit territorial të Serbisë.
“Rusia gjithmonë mund të llogarisë se e ka një aleat në Serbi” tha Vuçiq.
Ndërkaq presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, në fillim të takimit tha se “jam shumë i lumtur që kam rastin të vizitoj Serbinë miqësore, vëllazërore dhe të flas për bashkëpunimin “.
Fjalitë hyrëse në takimin ndërmjet Putinit dhe Vuçiqit kanë qenë të hapura për publikun.
Paraprakisht të dy presidentët kanë vendosur kurora në memorialin “Varrezat e Çlirimtarëve” në Beograd.
Shkëmbimi i dokumenteve dypalëshe të nënshkruara do të mbahet në prani të dy krerëve të shtetit dhe më pas ceremonia e dekorimit me Urdhrin e “Aleksandër Nevski” të Presidentit të Serbisë nga ana e Vladimir Putinit. Të dy presidentët pritet të bëjnë edhe deklarata për mediat.
Kjo vizitë e Putinit nga ana e Serbisë, por edhe disa qarqeve ndërkombëtare, është parë si një vizitë e rëndësishme politike në një kohë kur ekziston një mundësi në rritje e angazhimit të drejtpërdrejtë të fuqive kryesore në botë për zgjidhjen e çështjes së raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Para disa ditësh, Presidenti rus, Vladimir Putin ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke destabilizuar Ballkanin duke treguar “rol dominues” në këtë rajon, kanë raportuar gazetat serbe.
Putin i ka bërë këto komente për gazetat serbe, “Veçernje Novosti” dhe “Politika”, të publikuara më 15 janar. Komentet e presidentit rus janë publikuar edhe në faqen zyrtare të Kremlinit.







