Në Nish

Vuçiq i shoqëruar nga i sanksionuari i SHBA-së ekspozon armët e rënda në qytetin afër Kosovës

Serbia sot e ka shfaqur në Nish arsenalin e armëve që posedon në këtë pjesë të territorit të saj, jo shumë larg kufirit me Kosovën.

Këto armatime janë ekspozuar me rastin e të ashtuquajturës Dita e Bashkimit Serb, ku ka marrë pjesë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe ai i Republikës Serbe, Millorad Dodik, si dhe një numër i lartë i ministrave.

“Pajisjet dhe armët e ekspozuara ushtarake tërhoqën shumë vëmendjen e qytetarëve të cilët u mblodhën në masë të madhe në kala dhe panë pajisjet e ekspozuara. Në kuadër të prezantimit do të ketë edhe avionë nga Forca Ajrore dhe mbrojtja kundërajrore. Në ekspozitën e janë shfaqur një numër i madh i sistemeve luftarake dhe jo luftarake, armatime të shumta, pajisje ushtarake, si dhe produkte të industrisë së mbrojtjes serbe”, raportojnë mediat serbe, transmeton Ballkani.info.

Gjatë vizitës në vendin e ekspozimit të armatimit, Vuçiq tha se së shpejti do të ndërtohet fabrika e dhjetë në Nish dhe theksoi se ka kaluar shumë kohë në këtë qytet.

“Ai i pyeti ushtarët nëse kishin municion të mjaftueshëm luftarak dhe stërvitor, pastaj shikoi armët e zjarrit të njësive speciale dhe pushkët scar, heckler dhe modulare, dhe më pas shikoi edhe ushtarët tanë që gjuanin objektivat me thika të ekspozuara. Qytetarë dhe fëmijë i janë afruar gjatë gjithë kohës presidentit për ta përshëndetur dhe fotografuar me të”, raporton Kuriri, gazeta propagandistike serbe.

Siç u potencua më lartë, me Vuçiqin ishte edhe Dodik, njeriu që është vënë nën sanksione amerikane për shkak të bashkëpunimit dhe afërsisë me presidentin rus, Vladimir Putin. /Ballkani.info/