Vuçiq e “trashë” miqësinë me Edi Ramën, flet në telefon me të dhe Zaevin: Pata biseda të shkëlqyera rreth takimit në Ohër

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq bisedoi përmes telefonit me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe atë të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, lidhur me përgatitjet për takimin e dytë trepalësh në Ohër, në të cilin ata duhet të vazhdojnë bisedimet për krijimin e një “mini Shengeni” midis tre vendeve.

“Një bisedë e shkëlqyer me Edi Ramën dhe Zoran Zaevin përpara samitit të rëndësishëm në Ohër më 9 nëntor”, shkroi Vuçiq në profilin e tij në rrjetin social Instagram.

Vuçiq, më parë, tha në një konferencë për media, se bisedimet me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë do të vazhdojnë, dhe më pas edhe me vendet e tjera, për heqjen e pengesave të lëvizjes së lirë të mallrave, shërbimeve, njerëzve dhe kapitalit.

Samiti i parë midis tre liderëve u mbajt në Novi Sad të Serbisë, më 10 tetor, me ç’rast ata nënshkruan një deklaratë e cila bazohet në zbatimin e lëvizjes së lirë të mallrave, kapitalit, njerëzve dhe shërbimeve.

Në konferencën e përbashkët për media, Vuçiq pati thënë se synim i kësaj nisme është që deri në fund të vitit 2021 të krijohen kushtet që qytetarët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë të kalojnë kufijtë e tri vendeve me letër-njoftime.

Ai ka thënë se me masa “më konkrete” të zbatimit të kësaj nisme, përfaqësuesit e tri vendeve, do të dalin në takimin e ardhshëm, që do të mbahet në Ohër, më 10 nëntor.

loading…